Edi Rama dhe Sali Berisha u përplasën në distancë me qëndrimet mbi Altin Dumanin dhe reformën në drejtësi, shkruan A2 CNN.
Kryeministri përsëriti respektin për kreun e Prokurorisë së Posaçme, por duke iu përgjigjur qytetarëve në rubrikën e tij “Sy më sy”, pohoi se pa mbështetjen e tij dhe të mazhorancës, drejtësia e re do të vazhdonte të kishte duart e lidhura.
“Altin Dumani, për të cilin kam respekt dhe e kam përsëritur ka të gjithë solidaritetin tim përballë sulmeve kafshërore edhe deri familjes së tij, nuk ka ardhur nga Hëna dhe as nuk e kanë sjellë me avion nga Amerika ose Europa. Ka qenë këtu, ka qenë prokuror… Pse nuk kishte marrë Altin Dumani ndonjë politikan e ta çonte para drejtësisë? Sepse nuk kishte ardhur akoma koha që solla unë dhe PS”, tha Rama.
Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se ka marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër rast, sipas kryedemokratit, që do të duhej të kishte vënë drejtësinë në lëvizje. “Është Edi Rama ai që ka ndërhyrë në mënyrë brutale në shkarkimet dhe emërimet në Bashkinë e Tiranës. Marrin të burgosurin, e mbyllin aty. Dhe pastaj shkojnë dhe postojnë statuse në emër të tij. Ato, sipas burimeve, janë të shkruara nga dora e Edi Ramës”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, ndëshkimi i korrupsionit është një nga arsyet kryesore që ka nxitur Brukselin të përshpejtojë ritmin e integrimit të Shqipërisë në BE.