“Festa e Luleve” titullohet aktiviteti që po zhvillohet në qytetin e Shkodrës, nga 1-8 maj, duke përcjellë mesazhin e kujdesit ndaj natyrës dhe traditës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga ky aktivitetet, i cili e ka kthyer qytetin në një oaz pranveror.
“Java festive e luleve në Shkodër”, shkruan Rama.
Kjo festë i ka veshur rrugët kryesore të qytetit me lule nga më të ndryshmet, duke krijuar një atmosferë ngjyrash e pranvere.
Përveç panairit, në sheshin dhe pedonalen e qytetit të Shkodrës do të zhvillohen aktivitete argëtuese dhe edukative për fëmijët, përfshirë punëtori artizanale dhe krijuese.
Në mbrëmje atmosfera do të kulmojë me koncerte live në pedonalen e Shkodrës.
Gjatë kësaj jave Shkodra ofron shumë për të gjithë, kulturë, argëtim, kreativitet dhe atmosferë unike.
Bahçet shkodrane janë të njohura për lulet shumëngjyrëshe e plot aromë si karafilat, trëndafilat, luleborën, lulekrapin, etj., që i kanë dhënë këtij qyteti jo vetëm emrin, por edhe bukurinë e hijeshinë.