SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 9 shtator njoftoi se është dhënë masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për kryetarin Rexhë Byberi dhe nënkryetarin e Bashkisë së Tropojës, të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Ata akuzohen për veprime dhe mosveprime që cilësohen si moszbatim i rregullt i detyrës, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Dyshohet se shkeljet që u atribuohen kryetarit të Bashkisë, Rexhë Byberi, dhe zëvendësit të tij, Abedin Kërnaja, lidhen me hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga këshilli bashkiak.
Megjithatë, masa e arrestit nuk ka ndaluar Rexhë Byberin të emërojë një kryetare të komanduar të bashkisë, detyrë që në fakt, sipas ligjit, duhet të kryhet nga këshilli bashkiak.
Byberi ka zgjedhur nënkryetaren Zyra Islamaj si kryetare të përkohshme të Bashkisë së Tropojës, deri në një vendim të ri.