Rezultati zyrtar i zgjedhjeve në Kosovë pritet të shpallet të shtunën

nga Xh M

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i shpallë të shtunën e 15 marsit rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në fillim të muajit të kaluar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha se komisioni pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës, raporton Koha.

Zvarritja e shpalljes së rezultateve përfundimtare vjen si pasojë e telasheve me të cilat është përballur KQZ-ja gjatë numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.

Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk arriti ta marrë shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve për ta formuar e vetme qeverinë.

Ajo i siguroi 48 ulëse në Parlamentin me 120 sosh, dhe Kurti është zotuar se partia e tij do ta vazhdojë qeverisjen e vendit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More