Shkup, 24 qershor – Në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe rreziku nga fatkeqësitë natyrore po intensifikohen, Maqedonia e Veriut përballet me një sfidë kritike që cenon drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve: një sistem mbrojtjeje nga zjarri tërësisht i nënpajisur dhe i neglizhuar për më shumë se dy dekada. Me më pak se 400 zjarrfikës në funksion, ndonëse ligji kërkon të paktën 800, shteti rrezikon të mos përballojë as rreziqet elementare, e lëre më emergjencat më të mëdha, shkruan Zhurnal.
Mungesë zjarrfikësish, trajnimi dhe pajisje të amortizuara një sistem që ka nevojë urgjente për reformë –
Në konferencën e organizuar snë Odën Ekonomike me temë “Mbrojtja e objekteve nga zjarri dhe prezantimi i punës së komitetit teknik ISRMV KT 46”, drejtoresha ekzekutive e BNJVL-së, Dushica Perishiq, shpalosi një panoramë të zymtë për gjendjen aktuale të njësive të zjarrfikësve në vend, duke theksuar se situata është jo vetëm e papranueshme, por alarmante.
“Aktualisht në vend kemi më pak se 400 zjarrfikës në të gjitha njësitë e mbrojtjes nga zjarri, megjithëse sipas ligjit numri duhet të jetë më i madh se 800. Ligji thotë qartë se duhet të ketë nga një zjarrfikës për çdo 1.500 banorë,” theksoi Perishiq.
Një shifër që tregon se vendi funksionon me gjysmën e kapacitetit të nevojshëm ligjor, çka lë boshllëqe të mëdha në reagimin ndaj emergjencave. Por problemi nuk ndalet vetëm te numrat. Perishiq nënvizoi mungesën e një qendre trajnimi kombëtar, e cila do të përgatiste si rekrutët e rinj, ashtu edhe zjarrfikësit ekzistues për sfidat teknike dhe fizike që kërkon profesioni i tyre.
“Nuk ka qendër trajnimi për zjarrfikësit. As të rinj, as të vjetër nuk kanë ku të trajnohen për të qenë të përgatitur për këtë detyrë që shpesh kërkon sakrifica jetësore,” shtoi ajo.
Situata bëhet edhe më dramatike kur përmenden mjetet dhe pajisjet që kanë në dispozicion njësitë kundër zjarrit. Automjete të prodhuara në vitet ’40 dhe ’50 ende janë në përdorim në disa komuna, ndërsa pajisjet personale të zjarrfikësve janë të amortizuara, të vjetruara dhe shpesh jo të përshtatshme për detyrën.
“Ka një diversitet të madh të automjeteve, disa prej të cilave janë të epokës së Jugosllavisë. Këto mjete riparohen vazhdimisht, por është e pamundur të garantosh siguri dhe efikasitet me to,” deklaroi Perishiq.
Në vend që shteti të ndërtojë një strategji afatgjate për menaxhimin e rreziqeve nga zjarri, komunat janë të detyruara të improvizojnë me fonde të kufizuara dhe ndihma të rastësishme nga ambasada e organizata të huaja. Edhe kjo ndihmë, siç e cilëson Perishiq, është tregues i dështimit të brendshëm për të ndërtuar një sistem funksional.
“Është pak turp që dikush të vijë nga jashtë për të na ndihmuar me gjëra që ne vetë duhet t’i kishim bërë me kohë. Kemi mjetet, kemi kapacitetin, por mungon organizimi,” u shpreh ajo.
Edhe pse aktualisht ekzistojnë 34 njësi zjarrfikëse që mbulojnë të gjitha 80 komunat, shpërndarja është jofunksionale dhe ndonjëherë e pakoordinuar. Perishiq kujtoi me mirënjohje reagimin e shpejtë të njësive të Koçanit në një tragjedi të fundit, duke thënë se pavarësisht kushteve të rënda, zjarrfikësit mbeten heronj anonimë që shpesh punojnë në kufijtë e sakrificës.
Ky është një sinjal alarmi që nuk mund të neglizhohet më.
Institucionet shtetërore duhet të marrin përgjegjësinë që u takon. Është i domosdoshëm një program kombëtar për reformimin e shërbimit zjarrfikës, që do të përfshijë:
- rritjen e numrit të punonjësve,
- themelimin e një qendre kombëtare trajnimi,
- modernizimin e automjeteve dhe pajisjeve,
- financim të qëndrueshëm përmes buxhetimit të dedikuar.
Përndryshe, çdo zjarri i ardhshëm mund të jetë jo vetëm një tragjedi e parashikueshme, por edhe një akt i dështimit kolektiv për të mbrojtur qytetarët. Dhe kur zjarrfikësit nuk kanë me çfarë të shpëtojnë jetë, përgjegjësia bie mbi ata që kanë detyrën të mos e lejojnë këtë skenar. /Zhurnal.mk