Shkup, 16 maj – Qytetarët maqedonas që kanë orientim evropian duhet t’i falënderohen qytetarëve shqiptarë të cilët po dëshmojnë ndër vite konzistencën e tyre për BE. Shqiptarët janë determinues të pakomprimist të fatit të vendit për sa i përket orientimit evropian. Në bazë të të gjitha sondazheve është dëshmuar si në RMV ngjashëm edhe në Shqipëri e Kosovë se populli shqiptarë janë populli më pro evropian në rajon. Ky fakt balancon dhe ndihmon edhe Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt BE-së. Sa më shpejt të anëtarësohet vendi në BE aq më shumë përshpejtohet procesi i zhvillimit dhe progresit pothuajse në gjitha fushat, shkruan Zhurnal
IRI: 68% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbështesin anëtarësimin në BE
Sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Vendet e mbuluara nga sondazhi ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Në pyetjen se a do e mbështesnin anëtarësimin në BE nëse një referendum do të mbahej sot, siç thuhet në sondazhin e IRI-it, shumica dërmuese në pesë nga gjashtë vendet u përgjigjën që do të votonin për t’iu bashkuar aleancës, duke filluar me 68% në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje-Hercegovinë deri në 92% në Shqipëri. Në Serbi, një shumësi prej 40% mbështesin anëtarësimin në BE.
“Ekziston një dëshirë e madhe në të gjithë Ballkanin për t’i forcuar lidhjet ekonomike me vendet perëndimore dhe për t’u anëtarësuar në BE”, deklaroi Paul McCarthy, Drejtor për Evropën në IRI.
Kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit në të gjithë rajonin besojnë se integrimi i mëtejshëm me Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e prosperitetit të qëndrueshëm. Në të vërtetë, çështjet ekonomike dominojnë prioritetet e qytetarëve për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Përveç Shqipërisë, ku papunësia ishte çështja kryesore, çmimet e larta dhe kostoja e jetesës ishin shqetësimi më i madh për qytetarët në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të gjashtë vendet, korrupsioni u shfaq si një çështje me prioritet të lartë.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica në pesë nga gjashtë vendet e anketuara besojnë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është plotësisht ose disi e pajustifikuar. Në Serbi, megjithatë, një shumësi prej 49% mendojnë se Rusia është plotësisht ose disi e justifikuar. McCarthy thotë se këto shifra janë kryesisht pozitive, përgjigjet nga Serbia janë shqetësuese.
“Nëse paqja dhe siguria janë objektivat afatgjata në Ballkan, alternativa më e mirë për Serbinë është të refuzojë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të forta me Perëndimin”, shtoi McCarthy.
Sondazhi u krye nga Ipsos në emër të Qendrës për Vështrime në Hulumtimet e Anketave në kuadër të IRI nga 2 shkurti deri më 5 mars 2024.
Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së ka zanafillë të hershme –
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.
Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme
Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.
Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare e ka të vështirë t’i sigurojë, pasi opozita maqedonase kundërshton ashpër e opozita shqiptare ka vendosur dy kushte. Përmes këtij plani arrihet marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por esenciale janë ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. /Zhurnal.mk