Një avion biznesi “Cessna C550” u rrëzua dje ndërsa përpiqej të kthehej në një aeroport të Karolinës së Veriut menjëherë pas ngritjes, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave në bord, përfshirë ish-pilotin e NASCAR, Greg Biffle dhe familjen e tij, thanë autoritetet, sipas AP.
“Avioni ishte nisur nga aeroporti rajonal i Statesville, rreth 72 kilometra në veri të Charlotte, por shumë shpejt u rrëzua ndërsa përpiqej të kthehej dhe të ulej”, tha Patrulla Shtetërore e Autostradave të Karolinës së Veriut.
Të dhënat tregojnë se avioni ishte regjistruar në emër të një kompanie të drejtuar nga Biffle.
Shkaku i rrëzimit nuk u bë i ditur menjëherë, as arsyeja e kthimit të avionit në aeroport në kushte shiu dhe reshjeje.
Të dhënat e Administratës Federale të Aviacionit tregojnë se Biffle ishte i kualifikuar në përdorimin e helikopterëve dhe avionëve me një dhe shumë motorë.
Nuk ishte e qartë nëse Biffle po pilotonte avionin në kohën e rrëzimit.
Biffle ishte në avion me bashkëshorten e tij, Cristina, dhe fëmijët Ryder, 5 vjeç, dhe Emma, 14 vjeç, sipas patrullës së autostradës dhe një deklarate familjare.
Personat e tjerë të identifikuar ishin, Dennis Dutton, djali i tij Jack, dhe Craig Wadsworth.
Biffle, 55 vjeç, fitoi më shumë se 50 gara në tre qarqet e NASCAR, duke përfshirë 19 në nivelin e Serisë Cup. Ai gjithashtu fitoi kampionatin e Serisë Trucks në vitin 2000 dhe titullin e Serisë Xfinity në vitin 2002.
“Greg ishte më shumë se një pilot kampion. Ai ishte një anëtar i dashur i komunitetit tonë”, tha NASCAR.
Avioni, me destinacion Floridën, u ngrit nga aeroporti i Statesville pas orës 10:00 të mëngjesit, sipas të dhënave të gjurmimit të postuara nga FlightAware.com.
Lojtarët e golfit që luanin pranë aeroportit u tronditën kur panë katastrofën.