Shkup, 8 dhjetor – Shteti duhet të mendojë seriozisht për ndryshimin e sistemit të financimit në kujdesin shëndetësor parësor, vlerësojnë një pjesë e mjekëve.
Pasi Fondi publikoi të dhëna se Maqedonia po përballet me mungesë të mjekëve amë në zonat rurale, nga Shoqata e Mjekëve të Mjekësisë së Përgjithshme dhe Familjare thonë se është i nevojshëm një ndryshim i plotë i sistemit, duke paralajmëruar se mungesa po bëhet problem serioz jo vetëm në vendbanimet e vogla, por edhe në qytetet më të mëdha të vendit.
Sipas dr. Gjorgjievskit, mënyra aktuale e llogaritjes dhe shpërndarjes së mjeteve nuk i pasqyron nevojat reale të ambulancave.
“Varësia e financimit nga numri i pacientëve ekziston vetëm në Maqedoni nga gjithsej 30 vende evropiane. Asnjë vend tjetër nuk i degradon mjekët e shëndetit parësor si te ne. Duhet të ekzistojë një buxhet i garantuar për pagesat e rrogave dhe kjo është urgjente. Vetëm kështu do të motivohet hapja e ambulancave në fshatra, në vendbanime të vogla e në qytete. Në të kundërtën, do të kemi vetëm mbyllje ambulancash për shkak të pensionimit të mjekëve ose pamundësisë për të mbledhur numrin e kërkuar të pacientëve. Është tragjike që rroga e një mjeku specialist të mjekësisë familjare është 26.000 denarë. Këtë model unë e quaj ‘luftë për pacientë’. Ka ekzistuar edhe në Kroaci, por ata e kanë hequr. Ndryshimet janë të domosdoshme.”
Ai shton se është koha që shëndetësia të digjitalizohet – udhëzimet dhe dokumentet në letër të zëvendësohen me sisteme elektronike, gjë që do t’u lehtësonte procedurat si mjekëve ashtu edhe pacientëve.
“Apelojmë edhe te Ministria e Shëndetësisë për përshpejtimin e ndryshimeve ligjore. Është e pakuptueshme të shkruhet ende në kartela, të printohen udhëzime dhe receta. Pse pacienti duhet të vijë fizikisht për analiza laboratorike, duke u përballur me mot të ftohtë dhe me pacientë të tjerë të sëmurë, kur gjithçka mund të bëhet elektronikisht? Kjo sjell edhe shpenzime të panevojshme për printerë, tonera… është një barrë e tepërt për sistemin.”
Ndërkohë, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka bërë të ditur se tashmë po i shqyrton të gjitha propozimet për përmirësimin e situatës në shëndetin parësor.
Komisioni i posaçëm i Fondit është duke i analizuar propozimet e pranuara dhe, nëse ato janë të bazuara dhe përputhen me kornizën ligjore, ato do të përfshihen në Rregulloren e re.
Për nesër është paralajmëruar edhe një takim me drejtorin e Fondit, i cili pritet të informojë edhe për modelin kapitar të financimit.