Shkup, 29 nëntor – Mëngjesi i sotshëm për shqiptarët kudo që jetojnë ka filluar ndryshe, me një atmosferë pozitive duke filluar nga shtëpitë e për ta transmetuar kudo tjetër. Më së shumti kësaj ditë u janë gëzuar fëmijët nëpër shkolla të cilët me shumë zell e ngazëllim kanë marrë pjesë në programet kulturore të përgatitura. Niveli më i lartë i organizimit bëhet nga partitë politike e institucionet brenda vendit. Më 26 nëntor Ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut organizoi pritje festive për të gjithë krerët e shtetit, profesorë, aktivistë e qytetarë të shumtë për të kremtuar këtë ditë, shkruan Zhurnal.
Nga ambasada në organizime në shkolla e deri te festa në Sheshin Skënderbeu –
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë festohet kudo që ka shqiptarë, sepse është festë mbarë kombëtare që tejkalon kufijtë e shtetit shqiptarë. Prandaj, edhe në Maqedoninë e Veriut nuk ka munguar një festë e tillë.
Festa e Pavarësisë ka filluar nga 26 Nëntori ku nën organizimin e Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut ka pasur organizim të pasur kulturor e artistik ku të pranishëm ishin krerët më të lartë shtetëror, kori diplomatik, gazetarë, akademikë e qytetarë të shumtë bashkë të gjithë e shënuan këtë ditë.
Në pritjen që organizoi Ambasada e Shqipërisë në RMV me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit, ambasadori Denion Meidani tha se Pavarësia dhe Çlirimi janë themelet e identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.
“Pavarësia dhe Çlirimi janë themelet e identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare. Ato simbolizojnë më shumë se veç fitore historike, ato përfaqësojnë fuqinë e një populli që kurrë nuk është dorëzuar përballë sfidave. Kombi shqiptar ka provuar se forca e tij nuk qëndron në numra, por në shpirtin e pathyeshëm, në dashurinë për lirinë dhe në përkushtimin ndaj vlerave universale të paqes dhe drejtësisë”, tha Denion Meidani, ambasador i Shqipërisë në RMV.
Ai tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shembuj të gjallë të asaj që mund të arrihet kur ndjekim dialogun mbi ndasitë, ndërtimin e urave dhe jo greminat e përçarjeve. Ambasadori Meidani theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm marrëdhënie diplomatike, por siç tha ai, ato janë ura që lidhen përmes respektit të ndërsjellë dhe aspiratave të përbashkëta për paqe, stabilitet, zhvillim, dhe bashkëpunimit të gjithanshëm.
Ndryshe, për të vazhduar edhe ditët tjera me programe të ndryshme të organizuar nga klube të rinjve e deri më sot ku po festohet në masë të madhe.
Kremtimi më madhështor është përgatitur në Sheshin Skënderbu në organizuar nga Komuna e Çairit ku ambienti i hapur nuk kufizonte numrin e pjesëmarrjes së qytetarëve nga gjitha qytetet tjera të vendit.
E nuk kanë munguar as fotografitë e shumta që janë publikuar në rrjete sociale ku nxënës të shumtë të buzëqeshur e të veshur me veshje patriotike që karakterizon popullin shqiptarë kanë kërcyer e kënduar, recituar e lexuar gjithçka që ndërlidhet me historinë e rrugëtimit të popullit shqiptarë.
Kjo agjendë festive është dëshmi e gjallë që Festa e Pavarësisë nuk zbehet asnjëherë, mund të ndryshojnë mënyrat e shënimit por assesi të asgjësohen. Kjo na bënë të qartë që lidhja mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, atyre në Kosovë e Shqipëri është lidhje biologjike që nuk shkëputet dot. Pra, jemi një popull, një gjak, një histori, kemi shumëçka e gjithçka të përbashkët e pos kufijve fizik nuk na ndan asgjë. /Zhurnal.mk