Shkup, 13 qershor – Marrëveshje për bashkëpunim strategjik mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë është nënshkruar sot në Shkup gjatë vizitës së shefit të diplomacisë hungareze Peer Sijarto, mikpritës i të cilit ishte ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Në takim, siç theksuan dy ministrat në konferencën e përbashët për shtyp, janë përqendruar në marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, duke shprehur kënaqësi të ndërsjellë nga dialogu intensiv politik dhe bashkëpunimi i zhvilluar sektorial. Është përshëndetur edhe miqësia tridekadëshe dhe bashkëpunimi i shkëlqyer tregtar, e cila shënon trend rritës të vazhdueshëm në periudhën e kaluar.
Në këtë kontekst nga ana e dy ministrave është konstatuar se partneriteti maqedono-hungarez është i bazuar në lidhje të fuqishme politike dhe bashkëpunim të zhvilluar ekonomik, të cilët në periudhën e ardhshme do të marrin dinamikë akoma më të përforcuar.
Të dy ministrat diskutuan gjithashtu edhe për perspektivat dhe sfidat e procesit të integrimit evropian të vendit tonë dhe mbështetjen e forcuar dhe të palëkundur nga Hungaria në këtë rrugë, e cila synon hapjen e negociatave të vendit tonë me BE-në, me qëllim që të mundësohet stabilizimi dhe një perspektivë më e mirë për vendin tonë dhe vendet e rajonit.
Mucunski shprehu besimin se mbështetja do të vazhdojë me një ritëm të pandërprerë në periudhën e ardhshme, duke marrë parasysh Planin e Veprimit të nënshkruar së fundmi për Ndarjen e njohurive në lidhje me anëtarësimin në BE midis Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministrive të Çështjeve Evropiane të të dy vendeve.
Ministrat kanë diskutuar gjithashtu edhe për aleancën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer brenda NATO-s, e cila është e orientuar drejt përballjes me sfidat aktuale të sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit evropian dhe transatlantik.
Në kuadër të vizitës u nënshkrua edhe Marrëveshje për bashkëpunim në nivel qeveritar dhe Marrëveshja për bashkëpunim në pjesën e arsimit. Njëherit, ministri Mucunski dhe ministri Sijarto nënshkruan Marrëveshje për bashkëpunim strategjik midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Hungarisë, ndërsa nga ana e ministrit Sijarto dhe ministres së MASH-it, Vesna Janevska është nënshrkuar një Memorandum mirëkuptimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë për bashkëpunim në kuadër të Programit Stipendium Hungaricum për periudhën 2026-2028.