SPAK dërgon për gjykim 3 të pandehur, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal

nga D V

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore (SPH) me autoritetet franceze të drejtësisë përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal të nisur në vitin 2023, në ngarkim të 3 të pandehurve, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Konkretisht SPAK ka dërguar për gjykim Redian (alias Refik) Doda – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 5 episode, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.

Zabit (alias Artur) Fisniku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 3 episode, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Fabi Isaku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme: Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 episode “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.

Sipas SPAK, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, së bashku me autoritetet franceze të drejtësisë janë administruar prova mbi bazën e të cilave ka rezultuar se gjatë periudhës gusht-dhjetor të vitit 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim në qarkun e Albertville (73), lidhur me veprimet e një grupi të organizuar kriminal, i cili është marrë me trafikun e drogës.

“Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.

Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69)”, njofton SPAK.

SPAK bën me dije se nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve.

“Bazuar në hetimet e kryera janë identifikuar si drejtues të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kanë patur rolin e ndihmësve”, njofton SPAK. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More