SPAK: Dërguam dy urdhër-thirrje për Berishën, zarfet u kthyen mbrapsht

nga D. V.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) sqaroi sot se ka dërguar në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, dy urdhër-thirrje në lidhje me hetimet që po kryhen për çështjen e 21 Janarit 2011, ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Pavarësisht se kreu i PD-së mohoi gjatë konferencës së sotme për mediet të kishte marrë fletëthirrje për 21 Janarin, SPAK njoftoi zyrtarisht se “deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të Postës Shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).

“Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”, thuhet në njoftimin e SPAK për mediet.

Më tej njoftoi SPAK “pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025”.

Sipas SPAK “më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike”.

“Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të e-mail-it: sali.berisha@parlament.al, më datë 10.11.2025”, sqaroi SPAK.

Prokuroria e Posaçme thekson se do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More