Prej të mërkures së 5 marsit, Prokuroria e Posaçme ka vënë në funksion faqen e saj të posaçme për denoncimet e krimeve zgjedhore.
Çdokush që disponon prova për shkelje ligjore gjatë procesit zgjedhor mund të bëjë kallëzimin në platformën zyrtare të SPAK, duke hyrë në faqen spak.gov.al dhe duke klikuar te seksioni “Denonco Krimin Zgjedhor”.
Për të plotësuar një denoncim, qytetarët duhet të japin të dhënat e tyre si emër, mbiemër, numrin e identifikimit dhe të tregojnë nëse janë person fizik apo juridik.
Më pas, duhet të përshkruajnë rastin e dyshuar dhe të ngarkojnë materiale mbështetëse, si foto, video apo dokumente që provojnë shkeljen.
Të gjitha denoncimet do të shqyrtohen nga prokurorët e caktuar për secilin qark, të cilët do të ndjekin rastet në bashkëpunim me agjentët e BKH-së.
Në total, 12 prokurorë do të mbikëqyrin procesin në nivel vendor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve për shkëmbimin e informacionit.