Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zbarkuar në Bashkinë e Tiranës, teksa mbrëmjen e djeshme kanë ushtruar kontrolle me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas burimeve për mediat, bëhet me dije se ky aksion i BKH-së nuk ka lidhje me çështjen e arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndërkohë mësohet se bëhet fjalë për një hetim për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”, ndërsa kontrolli është ushtruar në zyrat e dy drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.
Në kuadër të këtij kontrolli janë sekuestruar dokumentacione tek Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit dhe Punëve Publike të Bashkisë. Po ashtu me vendim gjykate janë sekuestruar edhe 5 aparate celularë, nga zbërthimi i të cilëve mund të hidhet më shumë dritë mbi aferën që po hetohet.
Teksa nuk dihen ende detajet, sipas WebLajm, Bashkia e Tiranës e ka mohuar një gjë të tillë. Ndërsa, WebLajm.com ka verifikuar lajmin dhe rezulton se veprimet hetimore janë kryer me kërkesë të prokurores Elida Kaçkini dhe miratuar nga Gjykata e Posaçme.