Shkup, 1 dhjetor – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup prezantoi asistenten virtuale “Nënë Tereza”, një platformë inovative e inteligjencës artificiale që do të ofrojë ndihmë dhe orientim për studentët, stafin akademik dhe vizitorët në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht. Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, theksoi se me këtë platformë universiteti hyn në një fazë të re të transformimit digjital, ku qëllimi është që çdo student dhe çdo punonjës të ketë qasje të menjëhershme në informacione, pa barriera dhe pa vonesa.
Ky mjet do të përmirësojë komunikimin, do të rrisë efikasitetin dhe do ta afrojë universitetin me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
“Mendohet ndihmë ndaj studentëve, profesorëve dhe vizitorëve në universitet, të cilët përmes kësaj platforme mund të marrin më shumë informata lidhur me universitetin, proceset administrative, akademike dhe organizimin e vet universitetit. Platforma mund të ketë qasje edhe prej në uebfaqe edhe prej në mobil, momentin kur e vizitojnë uebfaqen e universitetit mund të aktivizohet. Kanë opsion të aktivizohet asistentja dhe e mira qëndron në atë se trajnohet prej të dhënave dhe pyetjeve të ndryshme, të cilët do të vendosen në sistem dhe ka shumë pyetje të cilat në fillim nuk do të jetë në gjendje t’i gjejë, për shkak se ajo skenon uebfaqen e universitetit, skenon dokumentacionin përkatës, skenon kalendarin akademik, oraret e provimeve, ligjëratave etj.”, – deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Bekim Fetaji.
Asistentja virtuale është vetëm fillimi i një faze të re inovacioni dhe digjitalizimi në shërbim të studentëve dhe stafit akademik, thonë nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)