Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato përgëzoi punën e komisionerëve të Vetingut, duke theksuar se atyre iu desh të ekploronin territore të paprekura më parë duke dëshmuar profesionalizëm në këtë rrugëtim prej 7 vitesh.
Duke marrë fjalën në konferencën në përfundim të mandatit të KPK-së, Gonzato përgëzoi komisionerët për kontributin e tyre, një kontribut që ia kanë dhënë këtij procesi, synimi i të cilit ka qenë kryesisht restaurimi i funksionimit të gjyqësorit.
“Është shumë e rëndësishme që në kohën e duhur të përfundojnë të gjitha çështjet e apelit në mënyrë që edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit të sigurojë që do të jetë bërë rivlerësimi, të ketë përfunduar në afatin kushtetues”, u shpreh Gonzato.
Sipas tij, është me rëndësi që institucione të larta si KLP dhe KLGJ të japin prova konkrete që ata kanë aftësinë që gjatë mandatit të tyre të ruajnë standardet.
Gonzato vuri në dukje se ajo që komisionerët kanë kryer përbën kontribut të vyer për çeljen e negociatave, për hapjen e grup-kapitullit të parë.