Vitet po ecin e vendi akoma në kërkim të garancive për vazhdimin e rrugëtimit drejt BE-së!

nga I.A

Shkup, 18 dhjetor – Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë paradoksale formalisht vendi është kandidat prej vitesh, por realisht ende kërkon garanci se procesi i integrimit nuk do të kthehet sërish në një labirint bllokadash dypalëshe. Ndërsa vitet kalojnë pritshmëritë e qytetarëve zbehen dhe pyetja thelbësore mbetet e njëjtë a po negociojmë me BE-në mbi bazë të kritereve evropiane apo mbi baza politike që ndryshojnë sipas kontekstit rajonal? shkruan Zhurnal.

Kur në BE?

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, në prag të pjesëmarrjes në samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, e artikuloi hapur këtë dilemë. Ai vlerësoi se është “e padrejtë” të pritet nga qeveria e tij të hyjë në një proces negociatash pa pasur garanci për suksesin e tij. Në një intervistë për “Sitel”, Mickoski theksoi se qeveria nuk mund të angazhohet në ndryshime kushtetuese pa qartësi politike dhe institucionale nga ana e Bashkimit Evropian.

“Kërkojmë garanci nga KE se nuk do të ketë probleme dypalëshe në integrimet tona evropiane”, deklaroi Mickoski, duke vënë në pah se përvoja e deritanishme e vendit me procesin e integrimit ka qenë e mbushur me kushte që shpesh kanë dalë jashtë kornizës së kritereve të Kopenhagës.

Ai vendosi dy kushte konkrete për fillimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës, e cila do të mundësonte hapjen e negociatave me BE-në. 

“Së pari, duhet të ketë garanci të qarta në formën e përfundimeve nga Këshilli Evropian se askush nuk është kundër identitetit maqedonas, i cili është një konstante shekullore, gjuhës maqedonase, e cila nesër, kur Maqedonia të jetë pjesë e familjes evropiane, do të jetë gjuhë zyrtare në BE, dhe se nuk do të ketë më çështje dypalëshe, dhe procesi do të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës. Kjo duhet të ndodhë”, tha Mickoski në “Sitel”.

Kërkesa për garanci nuk është vetëm çështje politike, por edhe psikologjike qytetarët duan siguri se sakrificat institucionale dhe identitare nuk do të shndërrohen në një proces pa fund. Por, në këtë mes qytetarët shqiptarë janë viktima të pasigurisë së bashkëqytetarëve maqedonas.

Kushti i dytë i Mickoskit lidhet drejtpërdrejt me raportet me fqinjin lindor dhe me respektimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut. 

“Dhe së dyti, nëse po zbatojmë gjëra që politikanë të tjerë i kanë pranuar, atëherë më e pakta që fqinji ynë lindor duhet të zbatojë që të kemi besim në këtë proces është ajo që përfshihet në Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të regjistrohen organizatat joqeveritare, siç është ‘OMO Ilinden-Pirin’, sepse këtë e thonë 14 vendime të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, deklaroi Mickoski.

Ky argument e zhvendos debatin nga narrativi i koncesioneve të njëanshme drejt parimit të reciprocitetit dhe sundimit të ligjit ku vlera themelore mbi të cilat BE-ja pretendon se ndërton procesin e zgjerimit. Nëse vendi kandidat pritet të zbatojë reforma të dhimbshme, atëherë edhe shtetet anëtare duhet të demonstrojnë respekt për vendimet e institucioneve evropiane, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në thelb, dilema nuk është nëse Maqedonia e Veriut dëshiron BE-në, por nëse BE-ja është e gatshme t’i ofrojë vendit një proces të drejtë, të parashikueshëm dhe të mbrojtur nga veto të reja dypalëshe. Pa këto garanci, integrimi rrezikon të mbetet një premtim i përhershëm, ndërsa vitet do të vazhdojnë të kalojnë pa përgjigje konkrete.

Prandaj, kërkesa për garanci nuk duhet parë si refuzim i Evropës, por si kërkesë për një Evropë që respekton parimet e veta. Vetëm një proces i bazuar në kritere të qarta, pa kushte të paparashikueshme politike, mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta shndërrojë rrugëtimin drejt BE-së nga pritje e pafund në perspektivë reale. Sepse, shqiptarët po e vuajnë më së shumti këtë prolongim, popull shtetformues dhe populli më pro evropian akoma nuk po integrohet vendi në BE. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More