Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit F.M. dhe K.M. për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, për vrasjen e 20-vjeçarit Grei Bihuci.
Sipas prokurorisë “nga hetimet e kryera rezultoi e provuar se, në datën 11.03.2024, rreth orës 11:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Fierit, gjatë një takimi për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur ditë më parë dhe të publikuar në rrjetet sociale, të pandehurit F.M. dhe K.M., të cilët kanë pasur me vete armë të ftohta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur viktimën G.B., duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit F.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim. Si dhe deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin K.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 12 vjet dhe 6 muaj burgim.