Shkup, 29 dhjetor – Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë prodhuan një rezultat të qartë politik dhe një mesazh të fortë qytetar ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese bindshëm, duke siguruar pothuajse gjysmën e votave të përgjithshme dhe duke riafirmuar dominimin e saj në skenën politike. Ky rezultat nuk është thjesht një fitore e çastit, por një konfirmim i vazhdimësisë së besimit qytetar ndaj Albin Kurtit dhe qasjes së tij qeverisëse, shkruan Zhurnal.
VV edhe njëherë e konfirmoi që mbizotëron në Kosovë –
Shpallja e rezultateve preliminare nga KQZ u shoqërua me një triumf nga kryeministri Kurti i cili e cilësoi këtë rezultat si “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe si fitore të vetë shtetit të Kosovës. Në thelb, narrativa e tij synon të paraqesë Vetëvendosjen jo vetëm si parti fituese, por si bosht stabiliteti dhe funksionaliteti shtetëror. Thirrja për konstituim të shpejtë të institucioneve dhe për pamundësinë e bllokadave politike tregon vetëbesimin e një force që e sheh veten me mandat të fuqishëm qeverisës.
Deklaratat për prioritetet pas certifikimit të rezultateve zhbllokimi i fondeve të BE-së, marrëveshjet me Bankën Botërore dhe Plani i Rritjes në vlerë qindra miliona euro e zhvendosin fokusin nga fitorja elektorale drejt përgjegjësisë qeverisëse. Ftesa e shtrirë opozitës për bashkëpunim, sidomos në marrëveshje ndërkombëtare, është një test i rëndësishëm politik a do të zgjedhë opozita përballjen apo bashkëpunimin minimal institucional?
Në këtë kontekst, domethënëse ishte edhe jehona e kësaj fitoreje përtej kufijve të Kosovës. Partneri politik i Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VLEN, reagoi menjëherë me urime për Kurtin, duke mos i fshehur emocionet. Ky reagim nuk është vetëm simbolik. Ai dëshmon se fitorja e VV-së shihet nga VLEN-i si një kapital politik i përbashkët, që forcon narrativën e ndryshimit dhe të përfaqësimit shqiptar në rajon. Për VLEN-in, suksesi i Kurtit është edhe një mbështetje morale dhe politike për rrugën që ata pretendojnë se kanë zgjedhur në RMV.
Ndërkohë, panorama në kampin opozitar në Kosovë ishte dukshëm më e zymtë. Lidhja Demokratike e Kosovës, e renditur e treta me 13.77%, u përball me realitetin e pritshmërive të parealizuara. Qasja e Lumir Abdixhikut ishte më tepër reflektuese dhe dëshpëruese. Pranimi i hapur i zhgënjimit dhe paralajmërimi për thirrjen e Kuvendit të LDK-së për të diskutuar përgjegjësinë personale tregojnë një moment kritik për këtë parti historike, e cila ende po kërkon identitetin dhe drejtimin e saj në raport me një Vetëvendosje dominuese.
Çështja e zgjedhjes së presidentit, e përmendur nga Kurti si hap i tretë pas certifikimit dhe themelimit të institucioneve, mbetet një nga pikat ku konsensusi politik do të jetë i pashmangshëm. Kërkesa për 80 vota e detyron pushtetin të dialogojë me opozitën, pavarësisht epërsisë numerike. Kjo do të jetë prova reale nëse retorika e bashkëpunimit do të shndërrohet në praktikë.
Në përmbledhje, këto zgjedhje vulosën jo vetëm një fitore të re të Vetëvendosjes, por edhe një realitet politik ku opozita duket e fragmentuar dhe partnerët rajonalë të VV-së, si VLEN-i, ndihen të inkurajuar dhe të legjitimuar. Sfida e radhës për Kurtin dhe ekipin e tij nuk është më fitorja elektorale, por menaxhimi i pritshmërive të larta dhe shndërrimi i këtij mandati të fortë në rezultate konkrete për qytetarët dhe për shtetin. /Zhurnal.mk