Shkup, 24 dhjetor – Agjencia e Lajmeve Zhurnal para dy viteve pati ngritur si temë analize mangësitë në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me çka mundësitë për shkarkimin e një kryetari para përfundimit të mandatit të plotë ishin minimale. Por, pushteti i kaluar nuk e pa të arsyeshme ta trajtojë aty ku është vendi në Kuvend, ndryshimet e mundshme përbrenda këtij Ligji që të krijohet një mundësi reale për shkarkimin e kryetarëve të komunave në rast se nuk përmbushin obligimet e tyre ligjore, shkruan Zhurnal.
Me ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale planifikohet mundësia për shkarkimin e kryetarit të komunës para mbarimit të mandatit –
Me ndryshimet e Ligjit për vetëqeverisje lokale planifikohet edhe mekanizëm për shkarkimin e kryetarit të komunës para mbarimit të mandatit. Kjo do të rritë transparencën e të përzgjedhurve nga zgjedhjet lokale. Por kjo duhet në bazë të rregullave dhe kritereve që mos të ketë keqpërdorime, deklaroi anëtari i grupit të ekspertëve që po punojnë për këto ndryshime.
“Do të mundohemi në bazë të këtij procesi të gjerë konsultimi të gjejmë zgjidhje të optimizuar ligjore, mënyrë të optimizuar që të reflektojë besimin, gjegjësisht mosbesimin e kryetarëve, që do të garantojë që në të ardhmen ajo nuk do të jetë objekt i keqpërdorimit”, deklaroi profesori Aleksandar Spasenovski, anëtar i ekipit të ekspertëve, për TV Telma.
Ndryshimet ligjore planifikojnë edhe futjen e policisë komunale, ashtu që komunat do të ngarkohen që të kryejnë mbikëqyrjen komunale, pa mundësi që ajo të funksionojë sipas parimit duam apo s’duam.
Ndryshe, një nga nismat më të rëndësishme për vetëqeverisjen lokale është mundësia për deklarim në referendum për revokimin e kryetarëve të komunave, që do ta rrisë përgjegjësinë e liderëve lokalë dhe do të mundësojë kontroll më të madh nga ana e qytetarëve, kishte deklaruar më 4 dhjetor ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, për TV Telma.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 24 shtator me 83 vota “për” dhe 17 “kundër”, deputetët votuan për ndryshimet ligjore te Ligji për Vetëqeverisje Lokale, duke mënjanuan zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetarë komunash në Aerodrom, Gostivar dhe Saraj. Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut më 11 shtator kishin votuar nevojën për procedimin e ndryshimeve me procedurë të shkurtuar te Ligji për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa më 12 shtator e mbaroi debatin.
Çfarë thotë ligji për vetëqeverisjen lokale për sa i përket ndërprerjes së punës ës kryetarit të Komunës?
Kjo çështje është e rregulluar me nenin 54 të ligjit për vetëqeverisje lokale. Kryetarit të komunës i ndërpritet mandati sipas fuqisë së ligjit: nëse paraqet dorëheqje; – në rast vdekjeje; – nëse me vendim të plotfuqishëm është i dënuar për vepër penale me dënim me burg në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj; – nëse me vendim të plotfuqishëm i merret e drejta e aftësisë për punë; – nëse paraqitet gjendja e pa përputhshmërisë për kryerjen e funksionit në pajtim me Ligjin për zgjedhje lokale.
Në rast të mungesës të paarsyeshme më gjatë se gjashtë muaj dhe nëse pushon të jetë banor i komunës. Anëtari i këshillit që e zëvendëson kryetarin e komunës, në afat prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes të njërit nga rastet që mund të ndodhin është i obliguar për atë ta njoftojë ministrinë kompetente për punët që i përkasin vetëqeverisjes lokale. Ministria kompetente për kryerjen e punëve që përkasin vetëqeverisjes lokale, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të njoftimit e njofton Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila në afat prej një muaj nga dita e pranimit të njoftimit, konstaton se është paraqitur njëri nga rastet që kanë ndodhur dhe njëkohësisht inicion procedurë për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune, në përputhje me ligjin.
Këshilli, në afat prej 30 ditësh nga dita e shpalljes së vendimit të qeverisë do të zgjedh një nga anëtarët e këshillit i cili do ta kryejë detyrën e kryetarit të komunës për periudhën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në mënyrë siç zgjidhet kryetari i këshillit. Anëtarit të këshillit i pushon funksioni anëtar i këshillit në kohën e kryerjes së detyrës së kryetarit të komunës. Zgjedhjet nuk do të mbahen nëse deri në periudhën e re zgjedhore ka më pak se gjashtë muaj.
Kjo nënkupton që një kryetar komune mund të shkarkohet vetëm në raste kur mungon më shumë se gjashtë muaj pa arsye, kur ndryshon vendbanimin, kur është i dënuar për vepër penale dhe me kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj, nëse nuk e kryen punën në përputhje me ligjin, si dhe nëse me vendim të plotë i merret aftësia për punë. Ndërkaq, ndërrohet në raste vdekjeje dhe kur deponon dorëheqjen vet kryetari.
Çfarë parasheh neni 28 në ligjin për vetëqeverisje lokale?
Neni 28 i ligjit për vetëqeverisje lokale parasheh referendumin ku qytetarët përmes referendumit mund të vendosin për çështje nga kompetencat e komunës, si dhe për çështje të tjera me rëndësi lokale. Këshilli është i obliguar të shpall referendum me kërkesë të më së paku 20% të zgjedhësve në komunë. Këshilli mund të shpall referendum për çështje nga kompetencat e veta me iniciativë të vet. Vendimi i dalë nga referendumi është obligues për këshillin. Kjo nënkupton se me anë të një referendumi gjithë popullor qytetarët në rajone lokale mund të vendosin për shumë çështje që janë në interes të vendit të tyre, e posaçërisht në dobi të tyre.
Por, në asnjë nen tjetër nga ligji për vetëqeverisje lokale nuk parashihet e drejta e qytetarëve që me anë të një peticioni të shkarkojnë kryetarin e komunës, e shkarkimi i tij mund të ndodhë vetëm në rastet e sqaruara më lartë dhe sigurisht kuptohet kur kemi raste të vdekjeve apo kur vet kryetari jep dorëheqje që nuk ka të bëjë asgjë me shkarkimin. /Zhurnal.mk