“Do t’ju hedh nga kati i 6-të” – pesë gra kanë kaluar nëpër një golgotë për shkak të Prokurorit të Lartë Publik

nga D. V.

Shkup, 9 shtator – Pas zhvillimit të plotë të procedurës hetimore dhe sigurimit të provave, Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka ngritur aktakuzë kundër një personi për pesë vepra penale – “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” nga neni 143, si dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 1 i Kodit Penal.

I akuzuari, në periudhën nga shtatori i vitit 2023 deri më 24.10.2024, si person zyrtar – Prokuror i Lartë Publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, në hapësirat zyrtare dhe gjatë ushtrimit të detyrës të përcaktuar me nenin 25 paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike, gjatë orarit të punës, u ka bërë vazhdimisht presion dhe dhunë psikike pesë punonjëseve gra, me qëllim t’ju shkaktojë dhimbje shpirtërore përmes trajtimit poshtërues.

Duke shfrytëzuar pozitën e tij hierarkike, në disa raste u është kërcënuar rëndë se kishte pushtet dhe mund t’i përzinte menjëherë nga puna, se “do t’i godiste me shqelma”, “do t’i hidhte nga kati i 6-të”, “do t’i vendoste në paraburgim dhe nën masa të posaçme hetimore”. Disa prej tyre i ka ofenduar se “ia kishin prishur prokurorinë” dhe u ka ndaluar të komunikojnë mes tyre dhe me punonjës të tjerë.

Të dëmtuarat, duke mos qenë në gjendje të durojnë kërcënimet dhe dhunën psikike me trajtim poshtërues nga i akuzuari, janë drejtuar me shkrim te Prokuroria Publike e RMV-së, te Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe te Prokuroria Themelore Publike Shkup, duke kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj tij dhe mbrojtje për veten.

Pasi i akuzuari mori vesh për këto parashtresa, i thirri secilën veçmas në zyrën e tij, ku vazhdoi me dhunën psikike, duke i detyruar të shkruajnë deklarata të rreme se ishin manipuluar. Gjatë kësaj, u është kërcënuar se do t’i padiste për shpifje duke kërkuar dëmshpërblim prej 100.000 eurosh, duke u thënë se ai mund të ndikojë te të gjithë gjyqtarët dhe avokatët, se ato kanë fëmijë për të cilët duhet të mendojnë dhe se do t’i humbin vendet e punës. Kur ato refuzonin të nënshkruanin deklarata të tilla, ai hapte procedura disiplinore dhe i transferonte në vende të tjera pune brenda prokurorisë.

Dy nga të dëmtuarat, duke mos mundur më të përballonin presionin dhe kërcënimet, nga frika, kanë shkruar deklarata sipas kërkesës së tij. I akuzuari, si Prokuror i Lartë Publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, ndërmori veprime zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij të përcaktuara me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Rregulloren për punën e brendshme të prokurorive publike, me qëllim të shkeljes më të rëndë të të drejtave të të dëmtuarave. Pa autorizim për t’i paraqitur më tej në institucion, ai i vulosi me vulën e pranimit të Prokurorisë së Lartë Publike Shkup deklaratat e marra në zyrën e tij dhe më 16.10.2024 ua shpërndau të gjithave kërkesa me shkrim për falje publike dhe tërheqje publike brenda 48 orëve. Edhe pse kërkesat ishin personale dhe ai vetë i përpiloi për të ushtruar presion psikologjik mbi të dëmtuarat, ai i regjistroi ato në Regjistrin “A” të PLP Shkup, gjë që bie ndesh me Rregulloren e punës së brendshme të prokurorive publike.

Më 24.10.2024, i akuzuari mbajti një mbledhje me të gjithë punonjësit e prokurorisë, ku para tyre vazhdoi me presionin psikik ndaj të dëmtuarave, duke i përqeshur dhe poshtëruar para kolegëve. Pastaj, duke shfrytëzuar përsëri pozitën e tij, u kërkoi të gjithë punonjësve që nuk kishin nënshkruar kërkesën për marrjen e masave urgjente, të shkruajnë me dorë deklarata ku të përshkruanin “çfarë lloj shefi është ai”.

Si rezultat i këtij trajtimi poshtërues dhe degradues, njëra nga punonjëset u sëmur dhe u diagnostikua me çrregullim ankthi.

Për të mbrojtur procedurën dhe viktimat, prokurori publik i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të caktojë masa kujdesi – detyrim për paraqitje periodike para një zyrtari ose organi kompetent shtetëror, marrje të përkohshme të pasaportës ose dokumenteve për kalim kufitar, ndalim të lëshimit të tyre, si dhe ndalim të afrimit ose kontaktit me të dëmtuarat.

Gjatë hetimit, prokurori publik siguroi prova edhe për veprimet zyrtare të këtij Prokurori të Lartë Publik dhe të një prokurori tjetër nga Prokuroria e Lartë Publike Shkup, bazuar në të cilat ngriti aktakuzë me të cilën i ngarkon si bashkautorë të veprës penale të zgjatur “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Të akuzuarit, në periudhën nga janari 2023 deri në gusht 2024, në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, me pjesëmarrje të përbashkët në veprime të ndërlidhura, me dashje kanë kryer disa veprime të përsëritura që përbëjnë realizim të shumëfishtë të së njëjtës vepër, duke shfrytëzuar të njëjtin raport të vazhdueshëm dhe të njëjtat rrethana, përmes tejkalimit të kompetencave të tyre zyrtare.

Në kundërshtim me Rregulloren e punës së brendshme të prokurorive publike, shkresat e pranuara, të cilat pas hapjes i dorëzoheshin të akuzuarit të parë nga zyrtari përgjegjës i pranimit, ky i fundit i mbante dhe kërkonte që të mos regjistroheshin të njëjtën ditë ose me radhë, por disa ditë më vonë dhe me datë tjetër nga ajo e pranimit. Njëkohësisht kërkonte që ato lëndë të dorëzoheshin drejtpërdrejt tek i akuzuari i dytë “pa shumë zhurmë”.

Në trajtimin e këtyre lëndëve, të akuzuarit nuk e kryen detyrën e tyre zyrtare sipas nenit 7 të Ligjit për Prokurorinë Publike – funksionin e prokurorit e ushtruan në mënyrë të paligjshme, të njëanshme dhe subjektive, duke mos respektuar dhe pa mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, si dhe të drejtat e subjekteve të tjera juridike, jashtë kompetencave të tyre, me qëllim që t’i mundësonin dikujt tjetër përfitim pasuror, duke shkaktuar shkelje të rënda të të drejtave të palëve në disa procedura.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More