Çeshinovë-Obleshevë, 13 dhjetor – Prodhuesi i orizit Borçe Angelov nga fshati Spançevo, në Komunën e Çeshinovë-Obleshevës, ende nuk e ka përfunduar korrjen e orizit. Nga gjithsej gjashtë hektarë të mbjellë, një hektar vazhdon të mbetet i pakorrur për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në fund të muajit nëntor. Si shkak i vonesës përmendet edhe mbjellja e vonuar e një pjese të sipërfaqeve, ndërsa prodhuesit e orizit thonë se dëmet janë të mëdha.
Sipas orizoprodhuesve, orizi i papërpunuar aktualisht blihet me çmim nga 18 deri në 22 denarë për kilogram, çmim që, sipas tyre, nuk i mbulon as shpenzimet bazë të prodhimit. Ata kërkojnë takim me ministrin përkatës për të bërë një kalkulim dhe për të përcaktuar një çmim të ri prodhues për orizin e papërpunuar.
Kushtet klimatike këtë vit nuk ishin të favorshme për orizoprodhuesit e rajonit të Koçanit. Sipërfaqet e fundit të mbjella pritet të korren deri në fund të vitit. Në këtë rajon, orizi kultivohet në një sipërfaqe prej rreth 4.000 hektarësh.