Mexhiti: Kadare arriti të kapërcente kufijtë kombëtarë, duke e vendosur letërsinë shqiptare në hartën globale të kulturës

nga Redaksia

Shkup, 1 korrik – “Sot, me dhimbje të thellë, kuptuam për ndarjen nga jeta e njërit prej zërave më të fuqishëm të letërsisë shqiptare dhe botërore, Ismail Kadare. Ai përben kupolën me të lartë të shkrimtarëve botëror të kohës se sotme bashkë me Markezin, Ernesto Sabaton, Havelin, Orhan Pamukun, e ndonjë tjetër.

Duhet ta theksojmë se, Kadare arriti të kapërcente kufijtë kombëtarë, duke e vendosur letërsinë shqiptare në hartën globale të kulturës. Dhe ketë e bëri në kohën kur Shqiperia ishte izoluar nga bota në kushtet e një diktature të egër.

Me një stil të veçantë dhe një ndjenjë të thellë për historinë dhe identitetin kombëtar, Kadare solli në jetë kryevepra që do të jetojnë përjetësisht në kujtesën e lexuesve.

Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte një ndriçues i mendjes dhe shpirtit të kombit shqiptar.

Veprat e tij, si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Pallati i ëndrrave”, “Ftese ne Studio” e shumë të tjera, janë pasqyra të një bote të ndërlikuar dhe të thellë, të mbushura me simbolizëm dhe reflektime të thella mbi njeriun dhe shoqërinë.

Ai trajtoi tema universale si pushteti, liria, dashuria dhe dhimbja, duke ofruar një pasqyrë unike të jetës shqiptare dhe botërore.

Sot dhe për shumë kohe, ne kujtojmë jo vetëm shkrimtarin e madh, por edhe njeriun që me kurajo dhe vizion, u ngrit mbi pengesat dhe sfidat e kohës së tij. Kadare ishte një zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe një avokat i palodhur për lirinë e shprehjes. Trashëgimia e tij letrare do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë dhe do të mbetet një burim krenarie për të gjithë shqiptarët.

Ismail Kadare do të mbahet mend gjithmonë si një gjeni letrar, një mbrojtës i kulturës dhe identitetit shqiptar, dhe një simbol i fuqisë së fjalës.

Prehu në paqe, njeri i madh!”, shkruan zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More