Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi sot se Sllovenia do të përkrahë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj, në punimet e panelit “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, që u mbajt në kuadër të konferencës 3 ditore të ambasadorëve që nisi sot, në Tiranë “Tirana Diplo 2024”, Fajon tha se tani është shansi i mirë për të punuar fort për zgjerimin e BE-së edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Jam mbështetëse shumë e madhe e zgjerimit të BE-së. Mendoj se tani është shansi më i mirë edhe një herë për të punuar fort për të zgjeruar Bashkimin Europian me vende të Ballkanit Europian. Shqipëria është në drejtimin e duhur tashmë”, theksoi ajo.
Fajon solli në vëmendje deklaratat e Presidentit të Këshillit të Europës, Charles Michel, vitin e kaluar ku u përmend 2030-ta si një mundësi për anëtarësim.
“Vitin e kaluar Michel tha diçka të rëndësishme. Përmendi 2030-ën si angazhim nga Forumi i Bledit. Pse të mos përgatitemi. Kemi një shanc, për shkak edhe të luftës ruse në Ukrainë, duam të bëjmë më të fortë Europën. Le të jemi gati nga ana jonë dhe nga ana e BE-së për 2030. Ky mund të jetë një shanc nëse nga të gjitha palët, politikanët por edhe nga ana e shoqërive tona, merret seriozisht një gjë e tillë. Vazhdimësia në këtë rrugë, jam e sigurtë dhe për këtë do të luftojmë, do të bëjë që për pak vite disa vende të jenë pjesë e BE-së“, deklaroi Fajon.
Ajo vlerësoi se ndikim pozitiv në këtë drejtim do të japë edhe Plani Rritjes i Komisionit Europian.
“Ky plan që ka përgatitur aktualisht Komisioni jep mundësi, dhe e di që Shqipëria ka përgatitur një axhendë të mirë reformash. Në shtator do të kemi edhe vlerësimin e Komisionit për këtë axhendë reformash dhe shpresoj që Shqipëria të marrë mbështetjen e parë financiare, sepse janë fonde të nevojshme për reformat, por edhe çeljen e dyerve drejt tregut të përbashkët, hap pas hapi”, tha ndër të tjera.
Më tej, kryedioplomatja sllovene theksoi nevojën e bashkëpunimit mes vendeve në rajon, në mënyrë që rajonit të jetë i qëndrueshëm, të ketë paqe dhe të punojë së bashku sidomos për brezin e ri.
“Të rinjtë tanë po largohen, sepse nuk ka një vizion të mirë dhe nuk shikojnë perspektivë të mirë dhe nëse të rinjtë largohen atëherë vendi nuk ka një të ardhme të mirë. Kemi përgjegjësi të madhe në rajon që të mbajmë gjërat në drejtimin e duhur për paqe, siguri, e perspektivë ekonomike e vizion të mbarë për të ardhmen”, u shpreh ajo.
Njëkohësisht, Fajon vlerësoi edhe punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, teksa Sllovenia po përgatitet të marrë presidencën këtë shtator.