Ministria e Arsimit pas rasteve të vetëlëndimit të vajzave të mitura “si pasojë e ndikimit nga platforma TikTok”, iu është drejtuar komunave të Kosovës për t’ua rikujtuar zbatimin e politikave të mbrojtjes së fëmijëve, me qëllim që ata të rriten të sigurt dhe të mbrojtur nga rrethanat e dëmshme.
”Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duke marrë shkas nga rastet e fundit të vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma Tik-Tok, u është drejtuar sot përmes një shkrese të gjitha komunave të Republikës së Kosovës për t’ua rikujtuar domosdoshmërinë për zbatimin të politikave të mbrojtjes së fëmijës, në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt dhe të mbrojtur nga rrethanat e dëmshme për zhvillimin e tyre. MAShTI si hartuese e politikave ka bashkëvepruar me instancat tjera në fazën e hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe të akteve nënligjore që derivojnë nga ky ligj”, thuhet në njoftimin e ministrisë së udhëhiqet nga Arbërie Nagavci.
Ministria ka njoftuar se po mban seanca informuese nëpër komuna në lidhje me Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës në Arsimin Parauniverstar, si dokument që synon të hartojë edukimin për mbrojtje.
Thirrje për kujdes me këtë rast ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo tha se monitorimi dhe udhëzimi i prindërve është i rëndësishëm për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që mund të fshihen në rrjetet sociale pas përmbajtjeve të papërshtatshme. “Platformat si “Tik-Tok”, mund të kenë ndikim negativ ne vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Le të punojmë së bashku për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë njohuri të bollshme për përdorim efikas dhe të nevojshëm të teknologjisë, me fokus avancimin e tyre”- është shprehur Haxhiu.