Shkup, 19 qershor – Në politikë, jo gjithmonë fjala e dhënë vlen sa puna e bërë – por kur ndryshimi vjen me shumë shpresë, pritshmëritë janë edhe më të larta. Koalicioni VLEN u promovua si alternativa më e besueshme për shqiptarët pas një periudhe të gjatë zhgënjimi me modelin e vjetër të përfaqësimit politik. Dhe fitorja e tyre, ndonëse ende e brishtë në raport me aparatin e rëndë të trashëguar, hapi një kapitull të ri një përpjekje për të sjellë “politikën ndryshe”, më transparente, më të afërt me qytetarin dhe më efikase në zgjidhjen e problemeve konkrete, shkruan Zhurnal.
Çfarë po bënë VLEN në qeveri?
Fitorja e VLEN-it u përjetua si një çlirim politik nga një sistem i konsoliduar klientelist, ku ndryshimi ishte më shumë rotacion emrash se sa thelb përmbajtjeje. Dhe si çdo ndryshim që vjen me shpresë të madhe, edhe ai i VLEN-it mbart mbi vete një barrë të madhe pritshmërie. Tani që janë ulur në karriget e pushtetit, qytetarët kërkojnë t’i shohin rezultatet jo vetëm në konferenca për shtyp, por në terren në spitale, në shkolla, në rrugë dhe në zyrat e shtetit.
Në këtë drejtim, pyetja është legjitime: a po arrin VLEN të dëshmojë punë reale në terren, apo kemi të bëjmë vetëm me një fushatë perceptimesh?
Disa prej të dhënave më të fundit flasin vetë. Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, bëri publike disa shifra që, sipas tij, dëshmojnë për një angazhim të fuqishëm të qeverisë së re: 2,500 punësime dhe 800 avancime për shqiptarët janë realizuar brenda vetëm disa muajve më shumë, siç thekson ai, sesa arriti BDI gjatë një mandati të plotë.
Jo vetëm kaq. Brenda një jave pritet të miratohet në Qeveri Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një akt ligjor me rëndësi strategjike për korrigjimin e pabarazisë etnike në institucionet shtetërore. Sipas Fetait, komunat shqiptare po përballen me një “bollëk fondesh”: aq shumë janë shtuar grantet, subvencionet dhe mbështetja financiare nga lart, sa disa prej tyre nuk po arrijnë të hartojnë projekte me ritmin që kërkohet. Ky është një realitet që nuk është parë më herët të paktën jo me këtë intensitet.
Këto zhvillime nuk janë vetëm statistikë ato janë sinjale që tregojnë një lëvizje të vërtetë. Megjithatë, nuk mund të mohohet se sfidat janë ende të mëdha. Sistemi i trashëguar është i ngarkuar me struktura të ngurta, burokraci dhe, në disa raste, sabotim të heshtur nga aparati i vjetër administrativ. Në këtë realitet, rezultatet duan kohë që të shihen plotësisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
Nga ana tjetër, këmbëngulja e deputetëve të VLEN-it në ruajtjen e barazisë etnike në proceset ligjore, si në rastin e Ligjit për branitellat, ku ata refuzuan çdo propozim që nuk e përfshin edhe UÇK-në, është tregues i një vijë politike të qartë dhe të pa lëkundur. Reagimet e figurave si Imerlije Saliu ndaj qëndrimeve provokuese të partnerëve të koalicionit janë shembull i guximit politik për të mos lëshuar në çështjet që kanë peshë kombëtare.
VLEN-i nuk do të gjykohet vetëm për atë që thotë, por për atë që arrin të përkthejë në jetën e qytetarëve. Dhe për këtë, komunikimi publik duhet të shoqërohet me një përshpejtim të zbatimit të politikave konkrete. Sepse ndryshimi nuk është vetëm çështje vullneti është garë me kohën. Nëse VLEN do të arrijë të ruajë këtë ritëm, ta përforcojë praninë në terren dhe të jetë i sinqertë në komunikimin me qytetarët duke i thënë atyre edhe të vërtetat e pakëndshme atëherë ka çdo mundësi që jo vetëm të dëshmojë punë në terren, por të jetë pararendës i një kulture të re qeverisëse. /Zhurnal.mk