Shkup, 4 gusht – Guri themeli i një salle të re sportive në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup u vendos sot në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, si dhe ministrave të Mbrojtjes dhe Sportit, Vlado Misajlovski dhe Borko Ristovski.
Siç u shpjegua në ngjarje, investitori i këtij projekti është Ministria e Sportit, ndërsa vlera është 64.780.000 denarë. Salla e re është planifikuar të ketë dimensione 45×30 metra, me një fushë standarde për hendboll, basketboll dhe volejboll, një tribunë me kapacitet për 400 spektatorë, dhoma zhveshjeje dhe hapësirë shtesë nën tribunë. Pas përfundimit të investimit, salla sportive do t’i jepet Ministrisë së Mbrojtjes për përdorim të përhershëm, për trajnimin e kadetëve të Akademisë Ushtarake, por do të sigurohen termine edhe për nxënësit dhe banorët e komunës së Aerodromit.
Kënaqësi nga realizimi i projektit shprehu kryeministri Mickoski.
“Për dy vite është dhënë afati për ndërtimi, ministri i Sportit është optimist se mund ta hapim në këtë kohë vitin tjetër. Le të shohim nëse mund ta motivojmë kontraktorin që të punojë kaq shpejt dhe ta vërë në përdorim këtë sallë sportive”, tha kryeminsitri në deklaratë për media.

Ministri Misajlovski theksoi se ky është objekti i parë që ndërtohet në kuadër të Akademisë Ushtarake pas 30 vitesh, dhe si rezultat i bashkëpunimit midis Ministrive të Mbrojtjes dhe Sportit.
“Dua të theksoj se pas 30 vitesh këtu në Akademinë Ushtarake, po fillon ndërtimi i një objekti të ri. Tridhjetë vjet ekzistencë – një objekt i ri do të thotë vërtet diçka për kadetët dhe studentët, por edhe për të gjithë Armatën. Nuk ndalemi këtu, do të vazhdojmë me shumë projekte të tjera. Ky projekt vjen direkt nga Ministria e Sportit dhe është vërtet – bashkëpunim i shkëlqyer, jam mirënjohës. Ne nënshkruam një memorandum bashkëpunimi dhe këtu mund të shohim se ky projekt po fillon të realizohet”, tha ministri Misajlovski në deklaratë për mediat.
Ai shtoi se në seancën e fundit qeveritare është miratuar edhe një rikonstruim, përkatësisht projekt për shtëpinë e ARM-së dhe hotelin “Shar” në Kodrën e Diellit.

Ministri Ristovski tha se këtë sallë nuk do ta përdorin vetëm sportistët, por do ta përdorin edhe kadetët e Akademisë Ushtarake, shkollat lokale në komunën e Aerodromit, do ta përdorin edhe të gjithë ata fëmijë që shprehin dëshirë të rekreohen, të merren me aktivitete profesionale, klube sportive e kështu me radhë.
“Ky është një investim shumëqëllimor nga Ministria e Sportit që e realizuam në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Ristovski në deklaratë për mediat.