Aliu: Konfirmohet metodologjia për punën e komisionit të brendshëm

nga D. V.

Shkup, 5 shtator – Komisioni i brendshëm për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjike konfirmoi metodologjinë për punë, e cila do të jetë baza për analizë jo vetëm të rasteve tashmë të dorëzuara, por edhe të gjitha rasteve të cilat do të dorëzohen ose konfirmohen nga ana e komisionit të brendshëm, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

Ministri Azir Aliu thotë se transparenca është e rëndësishme në të gjithë procesin.

“Ndiqen standardet ndërkombëtare si pika referente. Presim që komisioni i brendshëm t’i konfirmojë faktet në lidhje me tetë rastet dhe të veprojë në bazë të dëshmive mjekësore. Qëllimi ynë përfundimtar është së bashku ta përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe të vendosim bazë të fortë të menaxhimit në shëndetësi”, thotë ministri i Shëndetësisë Aliu.

Komisioni i Brendshëm është përbërë nga ekspertë të shquar në fushë, juristë dhe ekonomistë. Rezultatet e analizës së komisionit të brendshëm së shpejti do të dorëzohen në komisionin profesional të përbërë nga ekspertë të huaj, ndërsa raporti i komisionit intern do të publikohet në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri Aliu dje ka informuar se janë dorëzuar tetë raste në Komisionin e brendshëm të formuar sipas informatave për parregullsi të mundshme të lidhura me një pjesë të ndërhyrjeve kardiokirurgjike, ndërsa është kërkuar edhe mbikëqyrje nga Oda e Mjekëve.

“Para disa javësh, opinioni ishte i shqetësuar nga informatat për parregullsi të mundshme të lidhura me një pjesë të ndërhyrjeve kardiokirurgjike që janë kryer në institucionet shëndetësore. Si Ministri e Shëndetësisë, menjëherë vepruam dhe e informuam Komisionin e brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësor, juristë dhe ekonomistë. Detyra e saj është t’i konfirmojë faktet dhe të veprojë në bazë të dëshmive mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave të sakta metodologjike. Te Komisioni i Brendshëm janë dorëzuar edhe dosje mjekësore për tetë raste. Komisioni do t’i përpunojë të gjitha detajisht, me qëllim që të konfirmohet e vërteta në bazë të fakteve mjekësore”, theksoi dje në konferencën për shtyp ministri i Shëndetësisë.

Në pyetjen e gazetarëve, Aliu u përgjigj se nga një institucion i shëndetit publik janë dorëzuar tetë raste, ndërsa jo nga pacientët. “Nga institucioni, jo nga individi”, nënvizoi Aliu”.

Në dokumentin e dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Shëndetësisë, në të cilën i informojnë për dosjet e dorëzuara mjekësore, janë nënshkruar 16 mjekë nga Klinika Universitare për Kardiologji dhe Klinika Universitare për Kardiokirurgji Shtetërore.

Ministri Aliu njoftoi se Komisioni sot do të takohet dhe këto dosje do të jenë rastet e para sipas të cilave do të veprohet.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More