Shkup, 16 tetor – Nëse zgjedhjet do të mbaheshin javën e ardhshme, 27.2% e qytetarëve do të votonin për VMRO-DPMNE dhe 9.6% për LDSM, sipas sondazhit të fundit të Institutit për Hulumtime Politike Shkup. Sipas tij, koalicioni Fronti Evropian, i udhëhqeur prej BDI-së ka mbështetje prej 8.5% dhe VLEN-i 7.8%, raporton Tv Alfa.
Pasojnë Levica me 4.8% dhe Lëvizja ZNAM me 4%. 15.5% e qytetarëve kanë thënë se nuk do të votojnë për asnjë parti, 11.6% kanë refuzuar të përgjigjen dhe 10.6% kanë thënë se nuk e dinë. Kryeministri Hristijan Mickoski është politikani më i popullarizuar. Në të kanë besim më të madh 27.8% e qytetarëve. Pas tij është Ahmeti në të cilin besojnë 8.6%, pasuar nga Filipçe me 5.5%.
Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë përshtypje pozitive për punën e kryeministrit në 100 ditët e para, ndërsa diçka më pak se një e treta kanë përshtypje negative. Mbi 55% e qytetarëve kanë mendim pozitiv për 100 ditët e para të qeverisë, ndërsa 31% mendim negativ. Sondazhi i IPIS është realizuar me telefon në periudhën nga 10 deri më 13 tetor dhe janë përfshirë 134 të anketuar./Zhurnal