Tetovë, 3 korrik 2025 – Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj përjashtimit të historianëve shqiptarë nga grupet punuese për hartimin e librave të rinj të historisë për shkollat fillore dhe të mesme, duke e cilësuar këtë si një skandal institucional dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo qasje diskriminuese prodhon përmbajtje jo vetëm të pasakta, por edhe të rrezikshme për formimin e brezave të rinj,” deklaroi Isak Sherifi nga Departamenti për Arsim i kësaj partie.
Sipas tij, historisë së popullit shqiptar i është bërë një zbehje e qëllimshme në programet e reja mësimore, me përmbajtje të reduktuara ndjeshëm në krahasim me programet e mëparshme.
“Kjo përbën një tentativë për të relativizuar ekzistencën dhe kontributin e shqiptarëve në historinë e rajonit dhe të Evropës,” shtoi Sherifi.
Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar që menjëherë të përfshihen historianë shqiptarë në të gjitha nivelet e hartimit të librave shkollorë dhe që të rishikohen përmbajtjet aktuale për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Një shtet që e quan veten multietnik nuk mund të ndërton identitet mbi mohimin e historisë së të tjerëve,” përfundoi Sherifi.