Shkup, 24 janar – BDI ka akuzuar pushtetin aktual për kapje të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Sipas opozitës shqiptare edhe paralajmërimet për investime të mëdha në këtë universitet ishin vetëm për efekt elektoral.
VLEN ka hedhur poshtë pretendimet e BDI-së.
“Pas ndërrimit të pushtetit, hapi i parë ishte kapja politike. Universiteti u shndërrua në bazë partie. Pastaj erdhi mashtrimi më i madh. Para zgjedhjeve u inskenua “fillimi i ndërtimit” të kampusit të ri universitar. U soll vetëm një makineri ndërtimi – një buldozer – për kamera. U quajtën “punë përgatitore”, por në realitet u shkatërrua terreni dhe u prishën kushtet ekzistuese. Dhe një ditë pas zgjedhjeve – gjithçka u ndal. Sot nuk ka: leje ndërtimi nga Ministria e Transportit, projekt të miratuar, kontratë reale ndërtimi, afat kohor, as transparencë financiare.”, tha Visar Sulejmani nga BDI.
Ndërsa sipas VLEN-it, akuzat e BDI janë të pa baza.
Sipas tyre, ka kaluar koha kur univrzitetet kanë qenë në kthetrat e partive politike konkretisht të BDI që është e dëshmuar edhe nga bombat e Zaev kur dëgjohen eksponent të BDI-së duke u ankuar se po ju hik nga dora UT-ja.
“Nga zgjedhjet e fundit parlamentare ato janë çliruar dhe janë të lira e të pavarura e ushtrojnë veprimtarinë e tyre. VLEN me vendim qeveritar ka siguruar ndërtimin e kampusit të ri për universitetin Nënë Tereza me vlerë 35 milion euro dhe kjo do të realizohet.”, – thuhet në reagimin e VLEN-it.