Çairi “kurban” i inateve institucionale, qytetarët kanë nevojë për zgjidhje të shpejt!

nga I.A

Shkup, 30 maj – Në qendër të një debati gjithnjë e më të nxehtë politik dhe qytetar në Shkup ndodhet një zonë që simbolizon më shumë se një komunë, Çairi. I pasur me histori, me rëndësi kulturore dhe shoqërore për shumë qytetarë, Çairi sot ndodhet përballë një sfide të madhe ndotja dhe neglizhenca institucionale. Ka filluar një betejë e ashpër dhe sulm ndaj Çairit që ngjanë sikurse të jetë i kurdisur sipas Ganiut dhe Mexhitit, shkruan Zhurnal.

Kur mbeturinat bëhen më të dukshme se shërbimi publik –

Situatë tejët e ndërlikuar në Komunën e Çairit, ku në krye të kësaj situate është Komuna e Shkupit, me kryetare Danella Arsovska, raporti i saj është gjithnjë e më i tensionuar me komunat dhe faktorët lokalë si Komuna e Çairit, duke u bazuar në deklaratat e fundit të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu. Ai deklaron drejtpërdrejt dhe me tonë shqetësues se: “Çairi është zhytur në mbeturina, ndërsa kryetarja e Shkupit refuzon të bashkëpunojë me komunën tonë.”

Ganiu nuk është vetëm në këtë kritikë. Zëvëndëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, shkon edhe më tej, duke akuzuar Arsovskën se ndodhet “në shërbim të BDI-së dhe Levicës”, një akuzë që hap një tjetër front atë të lidhjeve të mundshme të një figure që u prezantua si jopartiake, që u bë kryetare me ndihmën e VMRO-së, që më vonë prishi marrëdhëniet me këtë parti dhe aktualisht sipas Mexhitit, Arsovska, po ndihmon BDI-në.

Atmosferë e krijuar ku qytetari i zakonshëm është i humbur mes mbeturinave, deklaratave dhe lojërave politike-

Për një qytetar të zakonshëm, pak rëndësi ka nëse pastrimi i Çairit është përgjegjësi ekskluzive e qytetit apo e komunës. Ajo që ka rëndësi është se lagjja nuk pastrohet, ajri është i ndotur, hapësirat publike janë të mbuluara me mbeturina, dhe institucionet në vend që të bashkëpunojnë zgjedhin përplasje politike.

Ironikisht, përpjekjet e kryetares Arsovska për të justifikuar mosveprimin në Çair ose për të ndërtuar një narrativë që e paraqet këtë komunë si “problematike”, duket se e kanë zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë më të gjera që mbulon Komuna e Shkupit.

Ndërsa Çairi është lënë në harresë, edhe pjesë të tjera të qytetit po përballen me të njëjtat probleme të thella infrastrukturore dhe mjedisore. Rrugët e papastra, mungesa e mirëmbajtjes, kaosi urban dhe një varg premtimesh nga fushata elektorale akoma të pa përmbushura edhe pse Arsovska është në muajt e fundit të mandatit. Kështu, një përqendrim i pakuptimtë dhe selektiv në përplasjet me një komunë si Çairi, jo vetëm që nuk e ndihmon qytetin e Shkupit, por e dëmton edhe më shumë.

Kritika ndaj zyrës së kryetares Arsovska nuk duhet të reduktohet në sulme personale apo etnike, por është legjitime kur bazohet në performancën administrative. E zgjedhur si një alternativë ndaj establishmentit, Arsovska premtoi një qytet të pastër, modern dhe gjithëpërfshirës. Sot, mungesa e reagimit konkret ndaj problemeve bazike në disa pjesë të qytetit e vë në pikëpyetje atë alternativë.

Sulmet ndaj Çairit qoftë përmes mosveprimit, injorimit apo përplasjeve të qëllimshme nuk janë vetëm të pakuptimta, por edhe kundërproduktive për Shkupin. Ato kontribuojnë në thellimin e ndarjeve dhe në rritjen e perceptimit se disa komuna përreth janë më pak të rëndësishme se të tjerat. Në vend të një protagonizmi të heshtur institucional që shmang përgjegjësinë.

Shkupi ka nevojë për një vizion të qartë dhe bashkëpunues. Kryetarja e qytetit dhe kryetarët e komunave duhet të tejkalojnë kalkulimet politike afatshkurtra dhe të kthejnë vëmendjen te qytetari, te pastërtia, cilësia e jetës dhe funksionaliteti i qytetit.

Kujtojmë që , një qytet nuk matet me beteja mes kryetarëve apo show-it në rrjetet sociale, por me ndjesinë që të jep kur ecën në rrugët e tij. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More