Dalin kopje të dokumenteve, dyshime të reja për ndërhyrje dhe shkeljet në autonominë e FSHI-Shkup nga Kryetari i BFI-së?! (Foto)

nga I Z

Shkup, 19 tetor – Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga burime të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal në BFI, dyshohet per shkelje të paprecedentë nga ana e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, në lidhje me autonominë e Fakultetit të Shkencave Islame (FSHI) në Shkup. Dyshimet poashtu flasin se kjo ndërhyrje paraqet një përpjekje të qartë për të vendosur kontroll të paautorizuar dhe për të shkelur integritetin institucional të FSHI-së.

“Dokumenti i lëshuar nga BFI është i arkivuar dhe daton tri javë më parë. Ai tregon se si inspektorati i arsimit ka konstatuar shkelje (data 08.10.2024), por paradoksalisht, dokumenti i lëshuar nga BFI e RMV-së u tërhoq pas një momenti të shkurtër dhe nuk u la të arkivohej në FSHI- Shkup. Ndërkohë, një tjetër zhvillim i habitshëm është fakti që Inspektorati i Arsimit, i cili ende nuk e ka dërguar dokumentin në FSHI, ai dokument është në posedim të BFI-së së RMV-së para se të arrijë në FSHI. Kjo shtron një pyetje të rëndësishme: si është e mundur që BFI të posedojë këtë dokument përpara se ajo të arrij në FSHI-Shkup, dhe pse ky dokument u përdor për të nxjerrë konstatime dhe konkluzione nga BFI, kur në realitet nuk është në kompetencat e kësaj të fundit?”, pyesin burimet tona që na dërguan dhe kopje të dokumentit për cilin theksojnë se është dokumenti në fjalë.

Të njëjtat burime, që deri në pastrimin e plotë të rastit insistojnë të mbeten anonime, thonë se kjo paraqet një kontradiktë serioze dhe ngre dyshime të forta mbi integritetin e procesit dhe ndërhyrjen arbitrare nga ana e Shaqir ef. Fetahut në çështje që janë jashtë juridiksionit dhe kompetencës së BFI-së. Janë të bindur se kjo ndërhyrje, e cila përfshin veprime që kufizojnë autonominë e FSHI-së, përbën një shkelje të drejtpërdrejtë dhe një përpjekje për të vendosur një kontroll despotik nga ana e BFI-së mbi institucionet akademike.

“Si mundet që një dokument i tillë, i cili duhet të shqyrtohet dhe analizohet në mënyrë të pavarur nga Fakulteti, të gjendet në duart e BFI-së përpara se të arrijë në FSHI? Si mundet që BFI të formulojë konkluzione dhe vendime mbi bazën e këtij dokumenti, ndërkohë që FSHI ende nuk e ka pasur mundësinë ta shqyrtojë atë?

Kjo situatë është një shembull i ndërhyrjes së paautorizuar dhe të papranueshme nga ana e Kryetarit të BFI-së, i cili po vepron në mënyrë despotike dhe po sfidon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë. Duke nxjerrë “habi” dhe duke formuluar opinione mbi veprimet e Inspektoratit të Arsimit, BFI tejkalon kompetencat e saj dhe përpiqet të imponojë një autoritet që nuk i takon.

Kërkojmë një sqarim të plotë dhe të detajuar mbi këtë rrjedhë të dokumenteve dhe ndërhyrjet e papërshtatshme të BFI-së. Është e nevojshme që të zbardhet plotësisht se si dhe pse BFI e RMV-së ka përfituar qasje të parakohshme në dokumente zyrtare (konstatim ky i nxjerrë nga informacioni qe është shënuar në dokumentin e lëshuar ( me datë 14.09.2024 , nr. arkivi 03-562) e që nuk u la të arkivohet në FSHI-Shkup) që duhet të ishin në dispozicion vetëm për FSHI-në.

Në fund, kjo situatë kërkon transparencë të plotë dhe respekt për autonominë institucionale të FSHI-së, duke garantuar që ndërhyrjet arbitrare dhe të paautorizuara nga strukturat e BFI-së të ndalen menjëherë dhe të ruhen të drejtat dhe liria e funksionimit të pavarur të Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup”, thonë zyrtarë brenda BFI-së dhe Fakultetit të Shkencave Islame, të cilët po mundohen të ndryshojnë gjendjen në këto institucione ë të mirë të studentëve dhe besimtarëve myslimanë te ne në përgjithësi./Zhurnal


TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More