Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është liruar shtetasi i Kosovës dhe Britanisë së Madhe, Sadik Duraku, i cili po mbahej në paraburgimi në Serbi.
Duraku ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Ministria e Punëve të Jashtme ka theksuar se do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla dhe do të informojë bashkësinë ndërkombëtare për veprimet arbitrare dhe destruktive të Serbisë, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Sipas Serbisë, dyshohej që Duraku “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.