Ka Abetare të Unifikuar në RMV apo nuk ka?

nga I.A

Shkup, 31 dhjetor – Abetarja për nxënësit shqiptarë hapi debat mes partive shqiptare atyre në pushtet dhe opozitës. Këtë debat e nxitën partia opozitare BDI, të cilët përmes një komunikate për shtyp deklaruan se përmes Ligjit për arsimin fillor u ndalua përdorimi i abetares së unifikuar. I menjëhershëm ishte reagimi i partive në pushtet, VLEN, të cilët i cilësuan si shpifje pretendimet e BDI-së deh deklaruan se abetarja e unifikuar përdoret në shkolla. Por, në fakt cila është gjendja reale? Për këtë temë Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka kontaktuar me të punësuar në shkollat fillore të zonave të ndryshme, nga atje thonë se abetarja ekziston por si mjet ndihmës, shkruan Zhurnal.

Me çfarë abetare po mësojnë nxënësit shqiptarë në RMV?

Debatin e abetares si mjet mësimi e riktheu në skenë partia opozitare BDI, të cilët përmes një komunikate për shtyp thanë se është ndaluar përdorimi i abetares së unifikuar në shkollat fillore.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon miratimin e ligjit në Kuvend të propozuar nga Ministria e Arsimit, me mbështetjen e VLEN-DPMNE-së, që ndalon përdorimin e Abetares Kombëtare, një simbol i rëndësishëm i gjuhës dhe identitetit shqiptar, i cili përdoret nga të gjithë shqiptarët kudo në botë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

E shpejt ishte kundërpërgjigja e koalicionit VLEN si përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe të apostrofuar në këtë akuzë të ngritur nga partia opozitare. Të cilët deklarojnë se kemi të bëjmë me gënjeshtër dhe shpifje të pastër, sepse sipas tyre abetarja e unifikuar vazhdonë të shërbejë në shkolla.

“Partia non grata BDI edhe pas gjashtë muajve të humbjes në zgjedhjet parlamentare, ajo assesi të mund të adaptohet me rolin e ri të qenurit në opozitë. Kjo parti ka ra në gjumë të thellë dhe flasin e reagojnë sikurse të përgjumur me shpifje e gënjeshtra të cilat lehtë janë të demantueshme. Pasi e humbën pushtetin tani po reflektojnë se e kanë humbur edhe kontrollin, nuk po dinë çfarë po bëjnë e as për çfarë po reagojnë. Po trillojnë tema, po sajojnë gënjeshtra, e pastaj po u besojnë gënjeshtrave të tyre. Me gënjeshtra e humbën pushtetin prandaj është absurde si po tentojnë që përmes gënjeshtrave ta mbajnë atë grusht elektorati që u ka ngelur. Kur jemi te gënjeshtrat e tyre, e fundit është kjo lidhur me abetaren e unifikuar se kinse me ndryshimet e Ligjit për tekstet shkollore u ndalua përfundimisht përdorimi i Abetares së unifikuar të gjuhës shqipe”, janë përgjigjur nga VLEN mbi akuzat se abetarja e unifikuar nuk mund të përdoret në shkolla.

Zhurnal ka kontaktuar në shkolla të ndryshme për të vërtetuar nëse Abetarja e Unifikuar është në përdorim apo jo?

Diskutimi në këtë drejtim i realizuar nga distanca me akuza mes partive politike duhet të sqarohet për opinionin e të largohet kjo huti. Këtë e bëjnë më së miri mediat. Prandaj, Agjencia e Lajmeve Zhurnal kontaktoi mësues të shkollave të ndryshme në vend për të kuptuar të vërtetën.

“Po, kemi parë reagimet e partive politike por ajo çfarë unë mund të them është e vërteta se ambasadori i Shqipërisë ka shpërndarë në shkollën tonë abetaren e unifikuar, që me të njëjtën punojmë me nxënësit tanë, pra e kemi mjet ndihmës që na shërben jashtëzakonisht shumë”, tha mësuesi F.H nga Shkolla Fillore “Naim Frashëri” Kumanovë për Zhurnal.

Ndërkaq, mësuesja e Shkollës Fillore, 25 Maji, për Zhurnal tha që ne nuk bëjmë politikë dhe nuk na interesojnë pikët politike dhe betejat që i zhvillojnë partitë politike, sipas saj nxënësit janë prioritet dhe për këtë janë të angazhuar çdo ditë, sa i përket abetares të njëjtin konfirmim e bëri edhe mësuesja në fjalë.

“Ne po punojmë me nxënësit në mënyrë që të përmbushim obligimin dhe përgjegjësinë tonë, e aspak nuk lejojmë nxënësit tanë të bëhen eksperiment i partive politike. Po, fatmirësisht për herë të parë kemi në përdorim abetaren e unifikuar, gjë që na ka lehtësuar shumë më shumë punën pasi në këtë rast si mjet ndihmës kemi një abetare të përsosur”, tha H.J mësuese në Shkollën Fillore, 25 Maji, për Zhurnal.

Duke marrë për bazë deklaratat e mësimdhënësve vijmë në përfundim që debati për akuza e kundër akuza mes partive politike është i zbehtë dhe jo përmbajtësor. Faktikisht, ajo që kanë thënë nga VLEN rezulton të jetë e vërteta faktike e gjendjes reale të Abetares së Unifikuar. /Zhurnal.mk   

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More