Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po merr formë dhe kuptim!

nga I.A

Shkup, 16 dhjetor – Pas shfuqizimit të të ashtuquajturit “balancues”, një mekanizëm që për vite me radhë u përdor më shumë për manipulim sesa për barazi, vendi po hyn në një fazë të re institucionale me hartimin dhe miratimin e një ligji të mirëfilltë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ky zhvillim nuk është thjesht teknik apo procedural, por thellësisht politik dhe historik, sepse prek një nga plagët më të vjetra të sistemit shtetëror diskriminimin dhe pabarazinë etnike në administratë, shkruan Zhurnal.

Pse duhet sa më parë të votohet e të hyjë në fuqi Ligji për përfaqësim të drejt dhe adekuat?

Balancuesi, në praktikë, u shndërrua në simbol të keqpërdorimit. Në vend se të garantonte barazi reale ai u përdor si vegël për pazare politike dhe manipulime absurde mjaftonte një deklaratë noteriale për të ndryshuar përkatësinë etnike dhe për të zënë një vend pune që në letër i takonte një komuniteti tjetër. Kjo ndodhi kryesisht në dëm të shqiptarëve, megjithëse ka pasur raste edhe anasjelltas. Rezultati ishte humbja e besimit në institucione dhe thellimi i ndjenjës së padrejtësisë që ka shoqëruar shqiptarët për dekada.

Sot, me ardhjen e VLEN-it në pushtet, kjo çështje po trajtohet ndryshe. Iniciativa për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat synon ta mbyllë njëherë e përgjithmonë këtë kapitull të mashtrimit politik. Ajo që për më shumë se 20 vjet u përdor si slogan elektoral si alibi për dështime dhe si instrument shantazhi politik, tani po shndërrohet në standard ligjor të qartë të matshëm dhe të zbatueshëm.

Çfarë përmban ky propozim ligj që mori dritë jeshile nga Komisioni i Venencias?

Thelbi i këtij ligji është pikërisht zhvendosja e përfaqësimit të drejtë nga sfera e vullnetit politik në sferën e detyrimit ligjor. Për herë të parë, barazia nuk do të varet nga pazaret partiake, nga koalicionet e momentit apo nga interesat zgjedhore, por do të mbikëqyret dhe zbatohet si normë juridike. Në këtë kuptim, ligji përfaqëson hallkën kyçe që mungonte në zbatimin real të Marrëveshjes së Ohrit dhe mbyll një nga boshllëqet më të mëdha institucionale të shtetit.

Një fakt që nuk mund të anashkalohet është mendimi pozitiv i Komisionit të Venecias. Ky vlerësim nga autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike i jep ligjit “vulën evropiane” dhe e bën të pavlefshme çdo përpjekje për ta paraqitur atë si të njëanshëm apo jodemokratik. Në të njëjtën kohë, ky mendim e rrëzon propagandën e atyre që për vite flisnin për përfaqësim, por kurrë nuk patën guximin apo ndershmërinë politike ta rregullonin atë me ligj. Premtimet ishin të shumta, rezultatet minimale.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në qeveri, VLEN, në këtë rast po bën atë që të tjerët vetëm e premtuan. Ligji i ri synon të garantojë barazi reale, transparencë institucionale dhe drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike dhe pa nevojën e ndërmjetësimit partiak. Kjo është edhe arsyeja pse ky ligj nuk duhet parë si pronë e një subjekti politik, por si një interes i përgjithshëm shoqëror dhe shtetëror.

Me hyrjen e pritshme të ligjit në procedurë parlamentare, përgjegjësia tani bie mbi të gjithë deputetët. Ky është momenti për t’u kthyer arsyes dhe interesit publik, përtej kalkulimeve partiake. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk është ligj i një partie, por ligj i barazisë, ligj i drejtësisë dhe ligj i së ardhmes evropiane të vendit. Nëse miratohet dhe zbatohet siç duhet, ai mund të shënojë fundin e një epoke padrejtësish dhe fillimin e një standardi të ri institucional, ku barazia nuk premtohet më por garantohet. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More