Shkup, 30 prill – Partia maqedonase në opozitë LSDM, në një kumtesë për media thotë se kriza ekonomike po godet gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve, dhe qeveria e udhëhequr nga OBRM-PDUKM sipas tyre, jo vetëm që nuk ka arritur ta stabilizojë situatën, por e ka përkeqësuar atë me një sërë masash joefektive dhe të vonuara.
“Në vend të një zgjidhjeje sistemike për të parandaluar tronditjet e çmimeve, kemi marrë truke marketingu dhe lëvizje të përkohshme që nuk kanë asnjë efekt real. Shembulli më i mirë i kësaj është e ashtuquajtura “shportë e Vitit të Ri”, e cila u prezantua si një masë për uljen e kostove, por përfundoi si një manipulim i thjeshtë mediatik. Në realitet, shporta e konsumatorit po rritet çdo muaj. Në prill, u rrit me 836 denarë – një shifër alarmante që tregon se sa joefektive janë ndërhyrjet qeveritare. Çmimet e produkteve ushqimore bazë mbeten të larta dhe pagat – veçanërisht në sektorin publik – nuk kanë ndryshuar prej muajsh”.
“Muaj më parë, LSDM propozoi një paketë prej shtatë ligjesh që do të ndikonin drejtpërdrejt në stabilizimin e tregut dhe rritjen e pagave. Nëse do të ishin pranuar, sot do të flisnim për përmirësime reale në standardet e jetesës. Pagat do të rriteshin, çmimet do të stabilizoheshin dhe familjet do të kishin më shumë para në fund të muajit. Por partia në pushtet i injoroi të gjitha sugjerimet, duke zgjedhur të vazhdojë me populizëm dhe llogaritje politike në vend të veprimeve konkrete”, thonë nga LSDM.