Mbrojtja e territorit, Manja: Listë të zezë për shkelësit e ligjit, masa të ashpra ndaj punonjësve të shtetit

nga D. V.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi sot paketën e re të ndërhyrjeve ligjore, në kuadër të thellimit të reformës për mbrojtjen e territorit.

Manja theksoi se kjo “nuk është vetëm një ndërhyrje ligjore, por një hap drejt një modeli të ri zhvillimi që garanton barazi në shfrytëzimin e hapësirave publike, siguri juridike për qytetarët dhe ndërtuesit dhe respekt ndaj trashëgimisë tonë natyrore dhe kulturore”.

“Paketa e masave ligjore synon mbrojtjen e tokës, natyrës dhe mjedisit nëpërmjet masave me karakter administrativ dhe penal”.

Manja tha se “mbrojtja e tokës dhe territorit do përforcohet dhe me masa të karakterit penal”.

“Synon të ndalojë fenomenin e ndërtimeve pa leje, duke forcuar mekanizmat ligjorë, gjatë zbatimit të ndërtimit dhe fillon që në fazat e para të ndërtimit kur hapet kantieri dhe deri kur objekti dorëzohet me certifikatë përdorimi”, tha Manja.

Ministri theksoi se synohet gjithashtu që të çlirohen dhe rikthehen hapësirat publike duke i kthyer ato në funksion të jetës komunitare dhe zhvillimit urban të balancuar.

Në funksion të kësaj pakete, ministri theksoi se është parashikuar ndërhyrja në disa nga ligjet kryesore që kanë të bëjnë me planifikimin e zhvillimit të territorit.

I ndalur tek ndryshimet në ligjin 107 të vitit 2014, Manja tha se “risi për këto ndryshime do të jetë inventarizimi i të gjitha hapësirave publike në regjistrat vendore, regjistrimi i hapësirave publike në regjistrat kadastrale dhe ndalimi i zënies së tyre nga individë apo subjekte pa leje shfrytëzimi nga autoritetet”.

Manja paraqiti edhe ndryshimet në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

“Punime pa leje apo në tejkalim të lejes mbi masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, dhe për shkak të qëndrueshmërisë së objektit është e pamundur prishja e tij, konfiskohen punimet e kryera pa leje për qëllime fitimi, ose një sipërfaqe ekuivalente me to, brenda objektit, e cila të jetë hapësirë e shfrytëzueshme.

“Punime pa leje apo në tejkalim të lejes për qëllime fitimi, mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, konfiskohet për interes publik apo strehim social i gjithë objekti apo vendoset prishja e plotë e tij nga organet përgjegjëse”, u shpreh ministri.

Gjithashtu Manja tha se do të krijohet një listë e zezë për ata që shkelin ligjin.

“Krijohet një regjistër i zhvilluesve dhe individëve që shkelin ligjin. Shkelësit përjashtohen nga marrja e lejeve për 5 vite. Bashkëpunim më i ngushtë mes autoriteteve të zhvillimit të territorit, inspektorateve dhe policisë për monitorim në kohë reale”, tha Manja.

Një tjetër risi theksoi ministri do të jetë edhe forcimi i kuadrit ndëshkues për punonjësit e administratës.

“Ashpërsim i kundërvajtjeve administrative me penalitete financiare për subjektet shkelëse, përfshirë edhe punonjësit e administratës publike.

“Kryerja e punimeve pa leje nga punonjësit e shtetit, me kohë të plotë ose të pjesshme, i cili rezulton drejtpërdrejt i lidhur me punimet pa leje, konsiderohet shkelje shumë e rëndë sipas legjislacionit në fuqi për rregullimin e marrëdhënies së punësimit dhe sjell si pasojë largimin nga puna.

“Në këtë rast punonjësi ndalohet të punojë në institucione publike për një periudhë 7- vjeçare nga momenti i njoftimit të masës”, tha Manja.

Manja u shpreh se “kategoria e punonjësve publikë që janë objekt i këtij parashikimi ligjor është shumë e gjerë, përfshin gjithë kategorinë e zyrtarëve publikë që kanë kompetenca mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit por edhe detyra specifike mbi kontrollin e territorit”.

Manja po ashtu nënvizoi se do të ketë edhe detyrime të reja për zhvilluesit, teksa shtoi se nuk do të lejohet ndryshimi i destinacionit të një objekti apo njësie pa marrë lejen përkatëse nga autoritetet.

“Detyrimi i subjektit zhvillues për të mbjellë pemë në raport me sipërfaqen e ndërtimit. Detyrimi që lejet e ndërtimit për objektet rezidenciale duhet të përfshijnë edhe përdorimin e hapësirës për fëmijë”, detajoi ai.

“Ndalimi i ndryshimit të aktivitetetit, funksionit,  destinacionit të një objekti apo njësie pa marrë lejen përkatëse nga autoriteti përgjegjës. Rregullat dhe procedurat për ndryshimin e destinacionit do të përcaktohen dhe miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Manja.

Sa u përket rasteve kur kemi të bëjmë me investime publike, ministri tha se do të ketë procedura të lehtësuara.

“Lehtësim procedurash për investimet publike: punimet mund të nisin menjëherë pas vendimit të KKTU, me më pak burokraci në dokumentacionin e pronësisë. Monitorim modern i territorit: Sekretariati Teknik i KKTU përdor kontrolle në terren dhe teknologji si kamera, drone dhe GIS”, u shpreh Manja.

Roli promovues i institucioneve: AZIIT dhe AKPT marrin kompetenca të reja për aktivitete, ekspozita, konkurse dhe projekte kombëtare e ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe arkitekturën publike”, tha ministri Manja.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More