Mbyllet përkohësisht objekti ku funksionojnë dy fonde serbe në Mitrovicë të Veriut

nga L. M

Objekti ku funksiononte Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Fondi për Sigurim Invalidor e Pensional sipas sistemit të Serbisë, është mbyllur sot, më 12.09.2025 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Sipas komunarëve, në hapësirat e brendshme të këtij objekti janë vërejtur punonjës të cilët kanë punuar me dokumentacion jovalid, teksa në mbylljen e objektit ka asistuar Policia e Kosovës.

Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha për KALLXO.com se puna është pezulluar përkohësisht.

Sipas tij, procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi.

“Janë verifikuar hapësirat ku vepron e ashtuquajtura PIO dhe qendra për lëshimin e librezave shëndetësore. Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur”- potencoi Syla.

Veton Elshani, zëvëndësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri tha se nuk ka të arrestuar pas mbylljes së objektit që ndodhet tek “Tre Rrokaqiejtë”.

“Sa na kemi informacion ka qenë sigurimi shëndetësor dhe zyra për pensione dhe invaliditet apo diçka e tillë afër fakultetit Ekonomik, sistemi paralel që është tek “Tre Rokaqiejtë” aty. Inspektorët komunalë kanë kërkuar asistencën tonë dhe ne e kemi ofruar të njëjtën”- përfundoi Elshani.

Mbyllja e objektit për sigurime pensionale dhe invalidore në Mitrovicë të Veriut,
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Ky nuk është objekti i vetëm që është mbyllur gjatë javës në këtë qytet.

Të martën, më 9 shtator, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka mbyllur edhe një objekt në të cilin vepronte zyra e Gazetë Zyrtare të Serbisë dhe një librari.

Në të u identifikuan punonjës të cilët nuk ishin të pajisur me dokumentacion për shfrytëzimin e hapësirës.

Lidhur me këtë rast siç ka raportuar, Radio Evropa e Lirë, ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, duke theksuar se Policia e Kosovës “ka uzurpuar dhe mbyllur zyrat e Gazetës Zyrtare , duke penguar furnizimin normal të nxënësve dhe shkollave serbe me tekste shkollore dhe mjete mësimore”.

Kosova në fillim të vitit 2024 filloi të mbyllë institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, duke i cilësuar ato si institucione të paligjshme dhe paralele.

Që nga viti 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More