Partia Socialiste ka propozuar një projektligj me procedurë të përshpejtuar për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Por për Partinë Demokratike, projektligji është njoftuar pa u depozituar. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka tha se ky projektligj po bëhet para zgjedhjeve, ndërsa akuzoi mazhorancën se ka burgosur 38 mijë shqiptarë se “ndërtuan një kotec pulash pa leje”.
“Të vish këtu, të gënjesh, kur gënjeni ju, live në sy të të gjithë parlamentit dhe shqiptarëve, imagjinoni çfarë i keni bërë ju ligjeve pronave, dhe këtij shteti pas kuintave. Erion Braçe është në sallën matanë duke hartuar, duke e shtypur projektligjin. Tani zonjë a mund të më shpjegoni, a mos vallë ujku është veshur me lëkurën e qengjit. A ishit ju që ju thoshit shqiptarëve që koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, u shpreh Noka.
“Që burgosët 38 mijë shqiptarë se pse rregulluar një dritare, një parvaz, apo një kotec pulash. A ishit ju që keni burgosur 38 mijë shqiptarë edhe për një 5-mijë lekësh të vjetra energji elektrike. Si do t’i jepni ju llogari atyre familjeve që njerëzit u kanë vrarë veten, për shkak të burgut që i keni futur ju. Se tani, po ju thoni shqiptarëve që po vijnë zgjedhjet, se këta përbindësha, këta ujqër, të tërbuar na paskan veshur lëkurën e deles. Pse, sepse ju duhet vota. Jo absolutisht jemi ne që kemi mbrojtur interesin publik të shqiptarëve, jemi ne PD dhe opozita që ju kemi thënë që ditën e parë që ju ndërmorët një reprezalje ndaj shqiptarëve. Kjo që keni bërë ju, kalon kufijtë e njerëzores dhe shkon drejt gjenocidit”, tha Noka.