Përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore / Mexhiti: Ky nuk është një favor apo privilegj, por është një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit

nga Redaksia

Shkup, 21 qershor – Zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se të martën, në mbledhjen e Qeverisë, do të mbyllet përfundimisht çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore. Ai theksoi se kjo do të bëhet përmes një zgjidhjeje ligjore, e cila për herë të parë pas 30 vitesh do të rregullojë këtë të drejtë në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe institucionale, transmeton zhurnal.mk.

“Sfidat që lidhen me përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore nuk mund të zgjidhen me politika ditore apo retorikë boshe. Ne nuk jemi për politika ditore, por për zgjedhje të qëndrueshme dhe ligjore. Ky vendim do të jetë një hap historik drejt ndërtimit të një administrate që reflekton përbërjen reale etnike të vendit dhe që siguron barazi për të gjithë qytetarët, pa dallim”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, ligji i ri do të vendosë standarde të qarta dhe të zbatueshme për përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të komunitetit shqiptar në të gjitha nivelet e administratës publike, përfshirë institucionet qendrore dhe ato lokale, ndërmarrjet publike dhe organet e pavarura shtetërore.

“Ky nuk është një favor apo privilegj, por është një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe nga parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë në një shoqëri demokratike. Çdo qytetar i këtij vendi duhet të ndjejë se shteti është edhe i tij, se mund të kontribuojë dhe të përfaqësohet denjësisht në institucionet shtetërore”, shtoi ai.

Mexhiti tha gjithashtu se zbatimi i kësaj zgjidhjeje ligjore do të ndiqet me kujdes dhe përkushtim, për të shmangur çdo formë të diskriminimit apo manipulimit me statistika. Ai shprehu bindjen se ky vendim do të forcojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe do të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë.

Në përfundim, ai bëri thirrje për bashkëpunim nga të gjitha palët politike dhe institucionale që ky proces të përmbyllet me sukses dhe të mos pengohet nga interesa afatshkurtra politike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More