Shkup, 20 dhjetor – Ish-presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov ka marrë pjesë në Simpoziumin ndërkombëar ballkanik në organizim të Universitetit Namik Kemal në Tekirdag, Turqi.
Siç njoftojnë nga Kabineti i tij, simpoziumi i është dedikuar kulturës së bashkëjetesës së Ballkanit gjatë periudhës otomane, ndërsa folësit kryesorë të hapjes solemne të simpoziumit ishin ish-presidenti Ivanov dhe ish-kryetari i Kuvendit të përgjithshëm popullor të Republikës së Turqisë, prof. Mustafa Shentop.

“Presidenti Ivanov e theksoi kompleksitetin dhe pasurinë e bashkëjetesës kulturore në mes të bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare në rajonin tonë. Ai theksoi se Perandoria Osmane, si një komunitet multietnik, multifetar dhe shumëgjuhësh, ka lënë gjurmë të thella në arkitekturën, artin, folklorin, kuzhinën dhe zakonet shoqërore të Ballkanit. Ivanov theksoi veçantinë e milet-sistemit osman, i cili nxiti respektimin dhe pranimin e diversitetit, model që reflektohet edhe sot në shoqërinë multietnike dhe multifetare maqedonase”, thuhet në komunikatë.
Ivanov, shtohet, iu referua edhe perceptimit evropianoperëndimor që shpeshherë e paraqet Ballkanin si hapësirë konfliktesh të vazhdueshme, duke injoruar periudhat e gjata të bashkëjetesës paqësore dhe shkëmbimit kulturor në rajon, që si përvojë pozitive reflektohet jo vetëm në kulturë, por edhe në traditat dhe zakonet e popujve ballkanikë. Ai theksoi se, megjithëse historia ka sfidat e saj, vlerat e përbashkëta kulturore janë një bazë e fortë për ndërtimin e mëtejshëm të harmonisë rajonale.
Pjesëmarrës në simpozium ishin disa profesorë dhe shkencëtarë nga universitete në mbarë Ballkanin, të cilët kontribuan me prezantimet e tyre në temën e përgjithshme. Prezantimet e tyre siguruan aspekte të ndryshme të temës përmes këndvështrimeve unike, bazuar në ekspertizën e tyre akademike dhe punën shkencore. Kjo qasje mundësoi shkëmbimin e ideve dhe hapi një diskutim të frytshëm për analiza ndërdisiplinore dhe perspektiva të reja, thuhet në komunikatë.