Një situatë kontroverse ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3, ku Atilla Kardesh, ish-bashkëshorti i modeles dhe këngëtares së njohur Drenusha Latifi, ka hyrë si banor.
Hyrja e tij në Big Brother VIP Kosova 3 ka ngjallur reagime të shumta, pasi këngëtarja Drenusha Latifi është një nga konkurrentet në këtë edicion dhe e njëjta e ka akuzuar publikisht ish-bashkëshortin e saj për dhunë.
E pas kësaj kanë reaguar organizatat, si Rrjeti i Grave të Kosovës, organizata QIKA dhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë”, thuhet tutje në reagim.
Për rastin kanë reaguar edhe nga organizata QIKA në një postim në Facebook.
“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave!”, thuhet në postimin e tyre.
E mbrëmë vonë organizata tjetër Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka ndërmarrë një aksion, duke kundërshtuar kështu normalizimin e dhunës ndaj grave.