RMV mbështet rrugëtimin euroatlantik të Kosovës!

nga I.A

Shkup, 25 qershor – Raportet Maqedoni e Veriut – Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të shkëlqyeshëm se sot. Kjo për më shumë arsye, por ndër kryesorja është pjesëmarrja e koalicionit VLEN në qeverisjen aktuale, koalicion i mbështetur publikisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mes tjerash, sot presidentja e vendit, Gordana Siljanovska ka pritur në takim ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qahaj, nga ku presidentja ofroi mbështetje të hapur për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës, shkruan Zhurnal.

Maqedonia e Veriut krah për krah Kosovës në rrugëtimin evropian –

Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova sot priti në takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja. Gjatë takimit presidentja Siljanovska-Davkova dhe ambasadori Qehaja kanë biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal. Ndërkaq është përshëndetur edhe dialogu i hapur për çështje me interes të përbashkët dhe më të gjerë.

Presidentja Siljanovska Davkova shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun e shkëlqyer politik në nivelin më të lartë dhe pret që trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën, si partneri ynë i rëndësishëm tregtar, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në kontekst të perspektivave evropiane dhe ndarjes së vlerave të përbashkëta, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe pjesëmarrjen në formate të ndryshme të bashkëpunimit rajonal dhe theksoi gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat.

Në takim u shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në rajon, për bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërkufitar përmes shfrytëzimit të fondeve të Bashkimit Evropian.

Kurti uron Mickovskin pret bashkëpunim të frytshëm –

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoskin për marrjen e pozitës së re.

Ai përmes një postimi në platformën X ka shkruar se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por aleatë dhe partnerë të ngushtë në orientimin në NATO.

“Urime për Mickoskin për zgjedhjen tuaj kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por aleatë dhe partnerë të ngushtë në orientimin në NATO, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE”, ka shkruar Kurti duke shtuar se “Nga rruga Prizren-Tetova deri te mbrojtja dhe siguria, pres me padurim të punoj me ju për të përmirësuar edhe më tej marrëdhëniet tona tashmë të forta dypalëshe”.

Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka njohur pavarësinë e Kosovës –

Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore gazetarë nga Kosova pyetën Mickovskin që çfarë raporte do të ketë Maqedonia e Veriut me Kosovën nëse ai do të jetë në krye të qeverisë së këtij vendi. Përgjigja e Mickovskit ishte epike dhe vulosi raportet fqinjësore të mira dhe të ngrohta me shtetin e Kosovës.

“Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk duhet të dëgjoni gënjeshtrat e Grubit, ne do të vazhdojmë të kemi raporte të mira fqinjësore”, pati deklaruar Hristijan Mickovski.

Pra, përkundër gjithë spekulimeve të krijuara në opinion që qeveria e re do të ketë raporte të ashpërsuara e të ftohta me Kosovën, praktika po e dëshmon të kundërtën. Kujtojmë që, presidentja Davkova ka shkruar në shqip falënderimin e urimit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Që i bie sikurse qeveritë paraprake edhe kjo aktuale do të zhvillojnë raporte të shkëlqyeshme bilaterale. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More