Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit në Bruksel zhvilloi një takim me Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos.
Rama ndodhet në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku temë kryesore pritet të jetë zgjerimi i BE-së me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë samitit në veçanti pritet të trajtohen edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Plani Ekonomik dhe i Investimeve, Agjenda e Gjelbër dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor, si dhe fusha të tjera si Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë, luftimi i kërcënimeve hibride dhe kibernetike dhe migracioni.
Sipas diplomatëve në BE, ky samit do të jetë rast për të diskutuar bashkëpunimin konkret në shumë fusha, prej asaj politike, të mbrojtjes dhe sigurisë, deri tek energjia. E gjithë kjo do t’u ndihmojë vendeve të rajonit që më shpejtë të bëhen gati për integrim në BE, duke forcuar në të njëjtën kohë edhe ekonomitë e tyre dhe duke rritur stabilitetin rajonal përmes zgjidhjes së mospajtimeve të tyre.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm sot në Bruksel në nënshkrimin e Dokumentit të Partneritetit me Bashkimin Europian, mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Kryeministri Rama theksoi se “eshtë një ditë e gjatë dhe një ditë e rëndësishme për ne sepse kemi Samitin vjetor me Bashkimin Europian. Ndërkohë, u zgjuam me një ndjesi të këndshme se tashmë kemi hapur një tjetër grup-kapitujsh”.