Sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit në Doha, dyshohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash

nga D. V.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e pajustifikuara dhe të padeklaruara të shtetasit Edmond Çaça, ish-ambasador në Doha, Katar, si dhe të bashkëshortes së tij, B.C.

Kjo masë u ndërmor në kuadër të hetimeve të nisura pas referimit të materialeve kallëzuese nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI).

Veprat penale për të cilat po hetohet janë: refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të parashikuara nga nenet 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E.Ç., gjatë periudhës 2014–2017 ka qenë subjekt deklarimi në ILDKPI. Ai ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private, duke mos i justifikuar me burime të ligjshme të ardhurash.

Në këtë kuadër, Prokuroria ka regjistruar edhe procedimin pasuror, duke përfshirë në hetim edhe bashkëshorten e tij si person të lidhur.

Sipas analizës financiare të përgatitur nga audituesi ligjor, është konstatuar se E.Ç. dhe B.C. nuk justifikojnë disa pasuri të konsiderueshme, si të luajtshme ashtu edhe të paluajtshme, përfshirë truall, apartamente, pyje dhe llogari bankare. Konkretisht, janë sekuestruar disa prona të paluajtshme, përfshirë një truall të ndarë në pasuri të ndryshme në zonën kadastrale 8330, me pjesë takuese për B.C. prej 10/33; një apartament me sipërfaqe 65.5 m2 në pronësi të E.Ç.; tre pasuri të llojit “pyll” me sipërfaqe nga 300 deri në 10.000 m2, të cilat figurojnë në emër të E.Ç. ose të përbashkëta me B.C.; si dhe një tjetër apartament me sipërfaqe 52.63 m2 në zonën kadastrale 2364.

Po ashtu, është sekuestruar një llogari bankare në emër të B.C., me gjendje kreditore prej 90.093,76 euro, pranë një banke të nivelit të dytë.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur sekuestrimin e pasurive të sipërpërmendura.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More