Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se Qeveria në detyrë ka marrë vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona, duke e cilësuar këtë si një vendim të ligjshëm dhe të domosdoshëm.
Sipas Zulfajt, rritja e shtesave është rezultat i ndërlidhjes së kësaj politike me rritjen e pagës minimale, e cila tashmë është dyfishuar dhe ligji për të ka hyrë në fuqi.
“Është një lajm shumë i mirë për nënat lehona. Kjo është një politikë që ka filluar më herët dhe është e ndërlidhur me pagën minimale. Nuk bëhet fjalë për një politikë të re, por për një vendim të qeverisë që rrjedh nga një ligj tashmë në fuqi,” deklaroi Zulfaj në “Info Plus” në RTK.
Ai sqaroi se edhe pse Qeveria është në detyrë, ajo ka të drejtë të marrë vendime që nuk përbëjnë politika të reja, duke theksuar se shteti nuk mund të ndalë funksionimin për shkak të kalimit në një fazë tranzitore.
“Qeveria në detyrë merr vendime deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Kompetencat e saj janë të kufizuara sa i përket politikave të reja dhe legjislacionit, për shkak se nuk kemi një Kuvend funksional për të miratuar ligje të reja, por qeveria ende punon dhe merr vendime të nevojshme,” shtoi ai.