Shkup, 29 korrik – “Një nga dëshpërimet e para pasi e humb postin është rënia e numrit të Like-ve (lajkave) në rrjetet sociale”. Kështu para ca viteve e ka përshkruar humbjen e postit në ekzekutiv një funksionar partiak, konkretisht drejtori i një Ndërmarrrje shtetërore. Dhe me të vërtetë, nëse bëni “scroll” në retrospektivë më të gjatë te profili i ndonjë politikani, do ta vëreni se si pëlqimet dhe komentet pozitive ndaj tij janë shtuar sapo i ka dalë emri si kandidat për funksionar. Kurse ato (pëlqimet dhe komentet pozitive), kanë shënuar rënie të menjëhershme drastike në momentin që funksionari në fjalë është kthyer në “gjendje civile”, respektivisht e ka humbur postin.
Një gjë e tillë, në të dy drejtimet, po vërehet edhe tani. Nëse vizitoni profilet e funksionarëve të sapozgjedhur dhe emëruar, do të shihni se atyre menjëherë u janë shtuar pëlqimet, bashkë me komentet pozitive. Me një postim, funksionarët e rinj mbledhin aq pëlqime dhe komente pozitive, sa që në të kaluarën nuk kanë mundur të mbledhin ndoshta brenda një viti. Dhe anasjelltas: vërehet rënie e pëlqimeve dhe komenteve tek funksionarët e saposhkarkuar deri në atë masë, sa që me 10 postime nuk mund të mbledhin pëlqime e komente sa kanë mbledhur deri dje me një postim të vetëm “Po pi duhon”. është ky një fenomen, që ka edhe sqarim shkencor, shkruan Zhurnal.
Sepse për shkak të hovit të pandërprerë dhe ndikimit në rritje të vazhueshme që kanë sot rrjetet sociale, psikologjia dhe sociologjia e rrjeteve sociale tashmë janë ngritur secila në nivelin e një dege të rëndësishme shkencore. Të gjitha punimet shkencore të bëra në këtë temë, përmbajnë konstatimin e përbashkët se ndryshimi i qasjes ndaj dikuj në rrjetet sociale varësisht prej pozitës që e ka, tregon dobësi në karakterin e personit në fjalë. Nëse kjo është dukuri më e gjerë, atëherë tregon dobësinë e shoqërisë në fjalë. Një dobësi e tillë, për fat të keq, duket mjaft prezente edhe në shoqërinë tonë.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë konstatim tonin personal, por për realitet që po e vërejmë çdo ditë. Militantë të flaktë deri dje të BDI-së, sot nuk lënë postim të funksionarëve të VLEN-it pa u bë “like”. I kanë rregulluar Setingsat në Facebook që t’u dërgojë Notificacione për çdo postim që bëjnë funskionarët e VLEN-it, që sa më parë t’i japin pëlqim. Domethënë jo vetëm që bëjnë pëlqime, por bëjnë garë që të jenë ndër të parët që pëlqejnë postimet e ministrave, zëvendës ministrave e drejtorëve të rinj. Ata që që deri dje nuk kursenin asnjë ofendim e sharje kundër, siç i thonin, “s’VLEN-it”, sot edhe çdo kafe që e pinë gjatë ditës e nxjerrin me foto në rrjete sociale me mbishkrimin “Ja VLEN me pi kafe”.
Si po sillen funksionarët e VLEN-it ndaj kësaj dukurie?
Disa po tundohen dhe po bien pre e lajkave nga militantët e deri djeshëm të kundërshtarit politik. Nëse aktivistit të VLEN-it, që ka kundërshtuar 10-15 vite “regjimin”, i hidhërohen për një vërejtje të vogël që mund t’ua bëjë, militantët e deri djeshëm të BDI-së ua “shkrijnë”zemrën menjëherë. I gjithë mundi 10-15 vjeçar i aktivistit të VLEN-it (pa marë parasysh te cili subjekt i këtij koalicioni e ka dhënë) bie në ujë për 5 miuta, kurse për një pëlqim ose koment pozitiv militantit të deridjeshëm të BDI-së i falet gjithë aktiviteti që ka bë kundër “s’VLEN-it” dhe menjëherë fillojnë procedurat për punësim, avancim ose transferimin e tij nga një vend pune ku paguhet më pak, në një vend pune ku do të paguhet dyfish më shumë.
Cilat mund të jenë përfitimet dhe pasojat nga kjo sjellje e disa funksionarëve të rinj të VLEN-it?
Rregulli bazë i gati çdo ndryshimi në politikë është se “revolucioni duhet t’i han fëmijët e tij” për të qenë i suksesshëm në afat më të gjatë. Përkthyer ndryshe, kjo do të thotë se një subjekt politik mund të rrisë suksesin e vet, vëtem nëse udhëheqësia e atij subjekti kur të vjen në pushtet, tradhton dhe diferencon bashkëpunëtoratët më të afërt që ka pasur. Në pikëpyetje është vetëm ndërgjegja: a mund ta bëjnë, apo nuk mundë ta bëjnë një gjë të tillë? Shikuar nga ky aspekt, afrimi i militantëve të BDI-së dhe diferencimi i aktivistëve besnikë të VLEN-it nga kohët e vështira, kuptohet nëse ua banë ndërgjegja, duket si një hap që do t’i sjell sukses pushtetarëve të rinj shqiptarë.
Mirëpo, situta aktuale në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është mjaft specifik dhe nuk mund të definohet as me teoritë e Makiavelit, as me ato të Çerçilit, as të Ajzenhauerit, as të Leninit, as të Hitlerit, e as Enverit. Shkaku kryesor është se pas një viti kemi zgjedhje lokale. Domethënë VLEN sado që të mundohet, nuk ka kohë të mjaftueshme militantëve të BDI-së t’u ofrojë aq sa u ka ofruar subjekti i tyre i origjinës, e jo më më tepër. Kjo do thotë se kur të vijnë zgjedhjet, ata me shumë gjasë srish do të përcaktohen të votojnë subjektin që u ka dhënë më tepër, e që është BDI-ja, kurse avancimin eventual që ua bën VLEN-i, ta konsiderojnë si periudhë tranzitore për ta shfrytëzuar për agjitim sa më të mirë në favor të BDI-së. E nëse nuk fiton BDI-ja, dyert sërish do t’i kenë të hapura te VLEN-i. Me plotë të drejtë do të logjikojnë në këtë mënyrë.
Prandaj, logjika e shëndoshë politike në këtë situatë thotë se për momentin VLEN më shumë duhet t’i vlerëson vërejtjet eventuale të aktivistëve të tyre, sado të pakëndshme që mund të jenë, se sa të “shkrihet” përballë ikonave me “like”, “zemra” e “përaqfime” që ua dërgojnë militantët e deridjeshëm të BDI-së, e që menjëherë shpërblehen me avancime për këto pëlqime, shkruan Zhurnal. Poashtu duhet të “piketohen” votuesit e papërcaktuar, të cilët mund të aktivizohen dhe të përfitohen vetëm nëse partitë e VLEN-it u qëndrojnë besnikë parimeve që i kanë premtuar para zgjedhjeve. Dyert sigurisht që duhet të jenë të hapura edhe për ata militantë dhe aktivistë të BDI-së, që kanë vendosur sinqerisht të rreshtohen me VLEN-in, por ky sinqeritet fillimisht duhet dëshmuar me aktivitet në teren. Le të punojnë 5 apo 10 vite, siç kanë punuar aktivistët e vërtetë, e pastaj le të futen në radhë për avancime. Në të kundërtën, jo që nuk do të fitohen votat e militantëve të BDI-së, por mund të humben edhe votat e aktivistëve shumëvjearë të VLEN-it, tek të cilët do të krijohet bindja se duke votuar BDI-në më lehtë mund të realizojnë aspiratat e tyre tek funksionarët e VLEN-it, se sa duke votuar vetë listat dhe kandidatët e VLEN-it. E nëse ndodh një gjë e tillë, rezultati shumë lehtë mund të supozohet!/Zhurnal