Takim i PABSEK-ut: Me bashkëpunim rajonal dhe parlamentar në luftën kundër krimit të organizuar

nga D. V.

Shkup, 29 prill – Bashkëpunimi parlamentar është pjesë thelbësore e përpjekjeve të përbashkëta për zhvillimin rajonal, stabilitetin dhe forcimin e institucioneve. Në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme gjeopolitike, parlamentet janë ind lidhës midis qytetarëve dhe proceseve të vendimmarrjes, ndërsa ndërtimi i besimit të ndërsjellë është garanci për stabilitetin rajonal dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Mesazhe të tilla u dërguan nga hapja solemne e Takimit të 65-të të Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), që po mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pjesëmarrësit e evenimentit nga parlamentet e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Greqisë, Shqipërisë, Turqisë, Bullgarisë, Ukrainës, Rumanisë, Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si anëtarë të PABSEK-ut, në këtë takim të Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, diskutojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar në rajonin e Detit të Zi.

Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, në fjalimin e tij të përshëndetjes në hapjen e këtij evenimenti, tha se në dekadat e kaluara, PABSEK-u është dëshmuar si platformë që jo vetëm lidh parlamentet, por edhe ndërton besim midis kombeve, stimulon bashkëpunimin ekonomik dhe inkurajon demokracinë.

“Në botë ku shpesh jemi dëshmitarë të minimit të sistemeve juridike, autoritarizmit në rritje dhe multilateralizmit të vështirë, detyrimi ynë si parlamentarë është të mbetemi lajmëtarë të ligjshmërisë, demokracisë dhe transparencës. Është e domosdoshme të kujtojmë veten se parlamentet nuk janë vetëm institucione ligjvënëse – ato janë roje të vlerave që i tejkalojnë kufijtë kombëtarë”, tha Gashi.

Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, theksoi se Dhoma Ligjvënëse është pjesëmarrëse aktive në të gjitha proceset që e avancojnë bashkëpunimin parlamentar

ndërkombëtar. Për ne, tha ajo, takimet e tilla janë më shumë sesa formalitet – ato janë mundësi për dialog, mësim dhe aleancë.

“Mund të konfirmoj me krenari se shërbimi parlamentar qëndron fuqishëm pas vlerave të transparencës, pjekurisë institucionale dhe llogaridhënies demokratike. Roli ynë është të sigurojmë mjedis të qëndrueshëm dhe mbështetës në të cilin do të zhvillohen proceset parlamentare dhe do të avancohen marrëdhëniet rajonale”, tha Dimovska.

Mustafa Hamarat, nënkryetar i Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe Asaf Haxhiev, sekretar i përgjithshëm i PABSEK-ut, gjithashtu mbajtën fjalim në hapjen e evenimentit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar në sigurimin e prosperitetit të qëndrueshëm dhe stabilitetit afatgjatë në Rajon.

Propozim-raporti u arsyetua nga referuesi Kamran Bajramov nga Azerbajxhani, i cili theksoi rolin e rëndësishëm të parlamenteve në luftën globale kundër krimit të organizuar, duke miratuar ligje efikase dhe mbikëqyrjen e tyre, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional. Prezantimi i praktikave më të mira është masa më efikase në përballjen me krimin, së bashku me zhvillimin e sferave shumëpalëshe për dialog, standardeve ndërkombëtare dhe strategjive efikase për krijimin e mjediseve të sigurta. Në këtë drejtim, nevojitet gjithashtu një sistem i fortë gjyqësor, përkushtim për qeverisje të mirë dhe sundim të së drejtës.

Deputetja Bllagica Llasovska, si shefe e Delegacionit të Kuvendit të RMV-së në PABSEK, theksoi se rajoni i Detit të Zi, si udhëkryq midis Evropës dhe Azisë, ka rol vendimtar si lidhje midis Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Por, kjo përparësi strategjike e bën gjithashtu rajonin të prekshëm dhe të ndjeshëm ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, kontrabandës dhe krimit kibernetik.

“Së bashku duhet të sigurohemi që ky rajon të jetë urë për bashkëpunim, jo rrugë për aktivitete kriminale. Në këtë kontekst, bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Ne kemi nevojë jo vetëm për marrëveshje dypalëshe, por edhe për koordinim aktiv, shkëmbim informacionesh, korniza ligjore të harmonizuara dhe aktivitete të përbashkëta”, tha Llasovska.

Bindjet nga Takimi i 65-të i PABSEK-ut janë se do të jetë një lloj pikëkthese, kur fjalët do të kalojnë në vepra. Mustafa Hamarat nga Turqia u zgjodh kryetar i Komisionit, ndërsa Bllagica Llasovska nënkryetare.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More