VLEN vazhdon me rezistencën ndaj ligjit për “branitellat”!

nga I.A

Shkup, 9 tetor – Ligji për “branitellat” nuk kaloi, kërkohet me ngulm që brenda këtij ligji të futen edhe përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Mbase, kështu duhet të veprohet sepse në të kundërtën do të jetë ligj që shkakton diferencim të qytetarëve. E kjo gjë nuk i shërben as aktualitetit e as të ardhmes së vendit. Prandaj, koalicioni shqiptar VLEN po tregojnë rezistencë në raport me këtë propozim ligj të propozuar nga opozita maqedonase LSDM, shkruan Zhurnal.

Shaqiri, Kuzevskës: Tërhiqeni ligjin për “branitellat”, ulemi dhe bashkërisht përpilojmë ligj ku do të përfshihen edhe ish-ushtarët e UÇK-së –

Deputeti i koalicionit VLEN, Rijad Shaqiri, i është përgjigjur propozimit të djeshëm të zëdhënëses së LSDM-së Bogdanka Kuzevska, e cila tha se mund të kërkohet zgjidhje ligjore për statusin i ish-ushtarëve të UÇK-së.

Shaqiri i kërkon LSDM-së ta tërheqin propozim-ligjin për ndryshimin e ligjit për “Branitellat” dhe bashkë të arrijnë në një Ligj të përbashkët kur do të përfshiheshin edhe ish ushtarët e UÇK-së.

“Ja unë nga këtu u bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve politik edhe përfaqësuesve të LSDM-së, le të urdhërojnë ta tërheqin ligjin në fjalë, ulemi që nga nesër e përpilojmë një ligj të përbashkët, ku do t’i përfshijmë edhe ish ushtarët e UÇK-së dhe gjithë të inkuadruarit në luftën e 2001-shit, ku do të bëjmë një zgjidhje të përhershme dhe Maqedonia e Veriut njëherë e përgjithmonë do ta zgjidhë çështjen e ish ushtarëve të UÇK-së dhe pjesëtarëve të forcave të armatosur, dhe njëherë e përgjithmonë do t’i drejtohemi rrugës së integrimeve evropiane dhe nuk do të merremi me çështjet të cilat i takojnë të kaluarës”, tha Shaqiri.

VMRO akuzoi LSDM-në se propozim ligji ishte tendencë për të nxitur tensione etnike –

Ligjin për “branitellat”, i cili ishte në rend dite të seancës së Kuvendit, e ka dorëzuar LSDM-ja përmes deputetes Slavjanka Petrovska, tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për koment pas njoftimeve të koalicionit VLEN se të njëjtin ligj do ta dorëzojnë edhe për pjesëtarët e ish-UÇK-së.

“Branitellat kanë dhe do ta kenë mbështetjen time, pamëdyshje. Ky ligj është dorëzuar nga deputetja Slavjanka Petrovska, gjegjësisht nga LSDM-ja, dhe ajo që është interesante – kur u votua nevoja e rendit të ditës, LSDM e braktisi seancën. Pse e them këtë, sepse LSDM-ja nuk e dorëzon ligjin sepse u mendojnë të mirën “branitellave”, por për të krijuar një situatë të këtillë. Për të krijuar sërish tensione ndëretnike”, tha Mickoski.

Pra, e thënë edhe nga kryeministri  i vendit dhe ashtu doli që propozim ligji ishte vetëm një tendencë e ligët dhe e ulët për të nxitur tensione të cilat nuk i shërbejnë askujt. Nëse nga LSDM janë aq shumë të interesuar për të rregulluar statusin e “branitellave” përse këtë nuk e bënë sa ishin në pushtet?

VLEN: BDI dhe LSDM nxitojnë të sjellin ligjin e branitellave për të shpëtuar nga korrupsioni politik

Koha e lojërave politike ka përfunduar! Koalicioni VLEN nuk do të qëndrojë duarkryq derisa opozita dhe aleatët e saj të heshtur përpiqen të ndezin flakën e përçarjeve ndëretnike, për të shpëtuar korrupsionin e tyre politik, shkruajnë nga koalicioni VLEN.

“Mjaft më me manipulime dhe provokime! Sponsorizuesi kryesor i ligjit të mbrojtësve është BDI, ndërsa moralisti i rremë Blerim Bexheti, i cili së bashku me Danella Arsovska dhe LEVICËN sollën Andon Lazov Janev Qoseto në Shkup, duhet ta pyesin Talat Xhaferin, i cili me rregulloren e re mundësoi që të provokohen situata të tilla. PGjithashtu, le ta pyesë edhe Artan Grubin, si u bë që me 30 mijë euro i dëmshpërbleu katër branitella! Ligji hyri në procedurë sepse sipas rregullores së re, nuk ka mundësi që të mos vihet në rend të ditës një ligj i propozuar nga një deputet, Qeveria ose kushdo që ka të drejtë të propozojë ligj. LSDM opozitare tregoi edhe një herë se nuk e ka për qëllim të ndërtojë një të ardhme të përbashkët për qytetarët, por të hapë plagët e së kaluarës për përfitime të ulëta politike, ndërsa BDI vazhdon të luajë lojën e saj të vjetër-të re, e cila është e orientuar për të tërhequr vëmendjen nga krimet e saj, përmes akuzave dhe krijimin e tensioneve të rreme”, shkruajnë nga VLEN.

Ligji nuk kaloi pasi u bllokua nga Komisioni përkatës në Kuvend –

Komisioni parlamentar i Punës Sociale dhe Demografisë e ka bllokuar Ligjin për “branitellat”, pasi nuk e vendosi atë në rend dite. Ligji i propozuar nga LSDM-ja, ka shkaktuar debate të shumta në opinion që në të njëjtën kohë një dëshpërim dhe shqetësim kolektiv tek populli shqiptarë. Pasi me të parashihet ndihmë financiare në vlerë deri në 82.000 euro vetëm për pjesëmarrësit maqedonas në luftë. Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti prej Uashingtonit, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka porositur se Ligji për “Branitellat”, i propozuar nga LSDM nuk kalon. Sipas tij, me këtë ligj po BDI, LSDM dhe E Majta, i kanë bashkuar forcat për me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim.

Kujtojmë që, Ligji për “Branitellat” dhe familjarët e tyre në Kuvend ishte dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Me të, listës së përfitimeve financiare për ish forcat e sigurisë dhe familjarëve të tyre, i shtohen një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “Branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave maqedonase të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. E kjo gjë nuk kaloi sepse në këto ndryshime ishin lënë anash ish ushtarët e UÇK-së. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More